Covid-19 në Tetovë, kërkohet ndihmë nga policia dhe ushtria


Në Tetovë dhe rrethinë gjendja vazhdon të mbetet alarmante nga infektimet me virusin korona. Gjithsej ka 1855 raste aktive, ndërsa vetëm në fundjavë, trajtim ambulator kanë kërkuar rreth 300 persona shkaku i simptomave. Bazuar në gjendjen aktuale, shtabi i krizës sot ka mbajtur mbledhje, me çrast janë sjellë vendime të reja, por jo edhe restrikcione, apo karantinë siç kërkonin mjekët. Nga Shtabi i Krizës është kërkuar që mjekët amë të paraqiten vullnetarisht për të ndihmuar në pikat e vaksinimit.

Shtabi i krizës ka kërkuar rritjen e pikave të vaksinimit, si dhe disperzimin e tyre në komunat për rreth si Bogovina, Tearca, Bërvenica, Zhelina dhe Jegunoci, me qëllim që sa më shumë qytetarë të mund të vaksinohen dhe të evitohen radhët në pikat vaksinuese aktuale në qytet. Gjatë javës, po ashtu përgatiten edhe pika shtesë për vaksinim brenda qytetit në Shtëpinë e Armatës, Elem Turs tek teleferiku, Shtëpia për kulturë dhe ambulanca në fshatin Poroj. Po ashtu kërkuam që ca nga pikat e reja të vaksinimit të punojnë me tre ndërrime duke filluar nga 7 e mëngjesit deri në mesnatë”, tha Teuta Arifi, kryetare e Shtabit të Krizës.

Nga ana tjetër, në spitalin klinik të Tetovës, numrat e të shtrirëve vazhdojnë të rriten bashkë me kontrollet ambulatore. Përgjegjësi i kovid qendrës në Tetovë, Gzim Nuredini, i cili shton se, është kërkuar ndihmë për prezencë më të madhe edhe të ushtrisë dhe të policisë.

Vazhdojmë të jemi në situatë të tendosur shkaku se pacientët që i kemi pasur në shërim ditor në ambulancat e kovidit, disave iu keqësohet gjendja. Një numër i madh i pacientëve i drejtohen spitalit, por ne këtu bëjmë një lloj tirazhi që i hospitalizojmë vetëm ata që kanë nevojë për hospitalizim. Si numër, kemi të hospitalizuar 120 pacientë. Brenda 24 orësh kemi pasur pranim të 14 pacientëve që tregon se ende kemi numër të madh të pranimeve. Vetëm një pacient ka ndërruar jetë i vitit 1981 që kishte edhe sëmundje komorbide kronike të mushkërive. Besoni tani më duket se virusi ka modifikuar sepse pacientët paraqitën me një pasqyrë klinike më të rëndë se vala para kësaj”, tha Gëzim Nuredini, përgjegjës i Kovid-qendrës në Tetovë.

Pavarësisht situatës së rënduar në Tetovë dhe rajon, Ministri i Shëndetësisë Filipçe përsëriti se nuk do të ketë masa të reja shtrënguese. Ai tha se do të pritet që gjendja të stabilizohet përmes vaksinimit të qytetarëve.

Baby Boo