Çfarë thonë nga Antikorrupsioni për zgjedhjen e Abazit!?


Përkundër ndryshimeve ligjore të cilat lejuan që për herë të parë për zgjedhjen e shefit të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion të votojnë drejtpërdrejtë të gjithë prokurorët, Ministria e Drejtësisë dhe Antikorrupsioni me vërejtje për mënyrën e zgjedhjes së prokurorit.

E para e antikorrupsionit Ivanovska madje hedh dyshime për ndikim politik në zgjedhjen e Islam Abazit. Ajo tha se në mungesë të informacioneve shtesë për programin, për të ngelën vetëm fotografitë me zyrtarë të lartë të partisë së Ahmetit.

“…lë hapësirë të besojmë se ka ekzistuar njëfarë ndikimi. Ne nuk mund të themi në qoftë se dikush ju ka imponuar prokurorëve të votojnë kështu. Megjithatë, në mungesë të kritereve që i përmenda, është lënë hapësirë të mendojmë për njëfarë ndikimi të mundshëm. Në qoftë se ai është person me integritet, mund të vërtetojë se është personi i cili do të rregullojë këtë prokurori. Gjegjësisht, duhet t’i japim hapësirë, megjithatë fotografia deri tani nuk është e kënaqshme. Ai duhet të harxhoje shumë më shumë energji dhe të vërtetojë se ka integritet dhe ka energji që të luftojë me korrupsionin”, deklaroi Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit për Antikorrupsion.

Nga Ministria e Drejtësisë deklaruan se ky model i zgjedhjes së shefit të kësaj prokurorie shpërfaqi mangësi dhe se duhet vendosur kritere shtesë për zgjedhjen e të parit të kësaj prokurorie.

Menjëherë pas zgjedhjes së Islam Abazit në krye të prokurorisë më të fuqishme në vend, u publikuan fotografi të tija me njerëz të afërm të BDI-së të cilat ngjallën dyshime për ndikime të mundshme gjatë zgjedhjes së tij. Se a janë të vërteta apo jo këto dyshime, nga Ministria e Drejtësisë thonë se koha do tregojë.

“I pashë fotografitë që implikojnë se prokurori i zgjedhur ka njëfarë lidhshmërie apo komunikimi me përfaqësues të një partie politike përkatëse. Asnjëherë nuk mundet deri në fund të neutralizohen, më e rëndësishme është që praktikisht koha do të jetë faktori kryesor i cili do të tregojë në qoftë se janë të vërteta këto hipoteza dhe supozime që plasohen pas zgjedhjes së tij në qoftë se kanë bazë. Praktikisht, komunikimi nuk mund të mos ekzistojë, por më e rëndësishme është të mos keqpërdoret”, njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë.

Edhepse tha se janë bashkëfshatarë, Islam Abazi mohoi të kishte kontakte personale me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti duke shtuar se s’ka ndikime politike për zgjedhjen e tij./Alsat.mk

Baby Boo