Çfarë nismë dorëzoi opozita ndaj Qeverisë!?


VMRO-DPMNE dorëzoi në Kuvend nismën për fillimin e procedurës për mocion votëbesimit të Qeverisë. Kërkesën e dorëzuan në ora 14:30, pasi që Zoran Zaev nuk e deponoi dorëheqjen e tij nga funksioni i kryeministrit në afatin e dhënë nga kryetari i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski. Edhe pse gjendja me shumicën e re parlamentare u komplikua pas deklaratës së Skender Rexhepit nga Alternativa, Nikollovski nga VMRO-DPMNE pohon se i kanë nënshkrimet e 61 deputetëve dhe se shumica do të jetë më e madhe.

“Ajo që është thelbësore, nuk janë nënshkrimet, por votat. Sipas asaj që di dhe asaj që kam dëgjuar, nuk mund të flas në emër të të tjerëve, është se z. Rexhepi do të votojë votëbesimin e kësaj Qeverie të udhëhequr nga LSDM dhe BDI dhe mendoj se kjo mjafton që ta mbyllim këtë temë. Në lidhje me atë se a do të kemi sukses apo jo që të përputhin qëndrimet me ndonjë parti politike, atë do ta shohim pasi që të rrëzohet Qeveria”, tha Aleksandar Nikollovski nga VMRO-DPMNE.
Pas saktësisht 8 ditëve heshtje, u prononcua edhe kryeministri Zoran Zaev. Ai përmes një statusi në Facebook, që e publikoi menjëherë pas parashtrimit të nismës së VMRO-DPMNE-së për votëbesimin e Qeverisë, shkroi se është i bindur se nuk ka humbur shumicën në Kuvend.

“Për shkak të dëshirës së shkretë për pushtet janë të gatshëm shtetin ta dërgojnë në humbje, ndërsa populli të vuaj. Por ka ky shtet popull të vet, edhe qytetarë, edhe demokratë, edhe luftëtarë, edhe politikanë dhe parti të cilët nuk do të lejojnë që Mickoski, Apasiev dhe Gruevski ta robërojnë dhe shkatërrojnë përsëri shtetin. Kauza jonë është qytetare edhe shtetbërëse. E di se për shkak të kësaj kauze si shtyllë me krenari qëndron shumica e qytetarëve tanë dhe deputetëve tanë”, shkroi në Facebook kryeministri Zora Zaev.

Pas parashtrimit të nismës për votëbesimin e Qeverisë, kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi, tashmë ka caktuar seancën për të enjten, përkatësisht në ditën e tretë pas parashtrimit të kërkesës për votim të votëbesimit. – TV21

Baby Boo