Çfarë ndryshoi gjatë rrugës mes ASH-së e Besës? Afërsia mes tyre ishte më e madhe se me Alternativën


Bashkëpunimet i nisën që në zgjedhjet lokale në vitin 2017.
Kreu i ASH-së Ziadin Sela mbështeste kreun e Besës Bilall Kasamin si kandidat për Kryetar të Tetovës.
Që atëherë kryetari i ASH-së paralajmëroi se bashkëpunimi s’do të mbetej vetëm për lokalet, por edhe në parlamentare.

“Dyshime mund të ketë edhe Lëvizja Besa për ne edhe ne për Lëvizjen Besa por nga ana tjetër çështjet të cilat na bashkojnë janë shumë të mëdha se sa dyshimet që mund ti kemi. Unë e kam paralajmëruar edhe në takimet e tjera, besoj jemi dakord edhe me Lëvizjen Besa, kryetarin e saj, kjo nuk është vetëm koalicion për zgjedhjet lokale, mos te keni asnjë dilemë, kjo është edhe fillimi mi një koalicioni të paralajmëruar edhe për zgjedhjet parlamentare dhe realisht BDI ka pse të ketë frikë….”, deklaroi Zijadin Sela në datë 25.10.2017
Sela dhe Kasami bashkëpunuan edhe në Zgjedhjet Presidenciale, duke i dalë në përkrahje Blerim Rekës për President.
Pak muaj pas kësaj, Kasami do të pohonte se preferencë e tij ishte një koalicion para ose paszgjedhor me Aleancën për Shqiptarët si dy parti opozitare.

“Ne do të kishim preferuar një koalicion parazgjedhor që të jetë e sigurt vota opozitare se përfundimisht do të vijnë ndryshime në Maqedoninë e Veriut por sigurisht nëse s’ka ndonjë bashkëpunim të tillë ne përsëri, edhe pas zgjedhjeve, do të kishim preferuar një bashkëpunim të tillë me Aleancën për Shqiptarët sepse jemi më afër tani si parti opozitare”, tha Bilall Kasami në 28.10.2019.
Një gjë të ngjashme Kasami do ta paralajmëronte edhe në Televizionet e Tiranës në fillim të këtij viti.
“Angazhim i fuqishëm i Lëvizjes Besa në këtë periudhë është që të shkojë forcat e saj me forcat e tjera opozitare që të bëjmë një bllok të fuqishëm opozitar dhe votuesit opozitar t’i japim një opsion fitues…”, deklaronte Bilall Kasami për mediat shqiptare në janar të 2020-tës.

Thirrja e ASH-së për koalicion trepalësh mes ASH-BESËS dhe Alternativës nuk u bë realitet.
Oferta e Ziadin Selës ndaj dy partive të tjera përgjigje mori vetëm nga Alternativa por jo edhe Lëvizja Besa.
Këtë lajm Sela dje zgjodhi ta kumtojë përmes një transmetimi ‘live’ në Facebookun e tij, pa praninë e gazetarëve, duke u shmangur kështu pyetjeve dhe duke lënë pikëpyetje se çfarë ndodhi mes tij dhe Kasamit? Megjithatë në fjalimin e tij, Sela la të kuptohet se dera për bashkëpunim është e hapur.

Baby Boo