Bytyqi: Nëse rriten pagat duhet të ulen pensionet dhe shujtat


Paralajmërimet për protesta të reja për rritjen e pagave në shëndetësi dhe në drejtësi nuk e ndryshojnë qëndrimin e zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.

Ai madje ironizon me kërkesat duke thënë se pagat mund të rriten, por vetëm nëse ofrohen shërbime cilësore, por edhe duke u kujdesur që rritjet të mos dëmtojnë të tjerët, shkruan Alsat.

“Nuk kemi asnjë problem të rrisim pagat edhe në shëndetësi nëse kemi shërbime adekuate shëndetësore për gjyshërit, prindërit dhe veten tonë. Nuk e kemi problem rritjen e pagave në drejtësi dhe në prokurori nëse qytetarët nuk presin gjashtë vite për çështjet e tyre….Në të njëjtën kohë, nuk duhet të harrojmë se nëse rrisim fondin e pagave në shëndetësi, në prokurori, në gjykata, do të duhet të shkurtojmë pensionet, do të duhet të shkurtojmë shujtat për studentët, do të duhet të shkurtojmë nga librat për nxënësit. Është e thjeshtë, është zgjedhja. Këto janë mundësitë”, tha Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër.

Bytyqi nuk përmendi nëse për rritjen e pagave në shëndetësi dhe sektorë të tjerë do të uleshin edhe pagat e zyrtarëve të cilët u rritën për 78 për qind.

Sa i përket grupit të punës lidhur me uljen e pagave të zyrtarëve të zgjedhur dhe emëruar, Bytyqi tha se propozimi akoma nuk është dorëzuar por se kjo duhet të ndodhë deri në fundi të muajit./ Alsat.mk

Baby Boo