Buzeqeshje e pergjakur (VIDEO)


Kur gjaku i kulluar i jetës ngjyros trupin e shpirti niset në Pafundësi
E ndjejmë se jeta nuk do ishte e bukur, nëse s’do ishte fshehtësi
Një buzëqeshje të përgjakur e shohim edhe një herë me mall
Dëshmojmë se një botë e vdekur zgjohet nga një zemër e gjallë
Ka zogj që thërimet e bukës në sofrat e njerëzve i lakmojnë
Por sado që t’i joshësh ata prapë të afrohen ngurrojnë
Urinë e durojnë se lirinë për ushqim s’e rrezikojnë
E njerëzit, a mund të kenë liri më shumë se sa e meritojnë?

Kur dallgët e dhimbjeve vijnë e përplasen në zemër
Ne prapë marrim forcë e të thërrasim në emër:
Kushtrim!
Buzqeshja jote e përgjakur e pikturon çdo stinë
Në muret e burgjeve shkruhen mendimet më të mëdha për lirinë
Kur krojet e Tokës s’e shuajnë zjarrin e një shpirti të etshëm
Ai ndahet nga trupi për ta gjetur ajkën e qumështit të përjetshëm
Erërat e Mëshirës Hyjnore fryjnë në zemrat që dëshmojnë:
Ata që ditën të vdesin, ditën edhe të jetojnë

Dashuria flet me çdo gjuhë por gjuha më e madhe e saj është heshtja
Atë që nuk e thonë dot fjalët, mund ta thotë buzëqeshja
Kur buzëqeshja përgjaket në fytyrën e njerëzve të gjallë
Atëherë, me çfarë mund të thuhet ajo që s’thuhet me fjalë?
Përballë gjallërisë së dëshmorëve zbehen poezitë dhe fjalët
Ata e ruajnë amanetin që s’e mbajnë as qiejt, as toka, as malet
Ata kthehen të buzëqeshur tek Ai që s’ka fillim e mbarim
Është koha të heshtem kur më shumë se çdo fjalë thotë emri Kushtrim.

Fatmir Muja
www.fatmirmuja.com
© Fatmir Muja

Baby Boo