Burgim të përjetshëm prindërve në Itali, vranë vajzën që s’pranoi të martohej


Një gjykatë në Itali ka dënuar me burgim të përjetshëm një çift pakistanez për vrasjen e vajzës së tyre 18-vjeçare, Samana Abbass, sepse ajo refuzoi një “martesë të rregulluar”, shkruan BBC.

Trupi i Samana Abbassit u gjet në një fermë në veri të Italisë në nëntor 2022, 18 muaj pasi ajo u zhduk.

Babai i saj, Shabbar Abbas, u arrestua në Pakistan në gusht dhe u ekstradua për t’u gjykuar për vrasjen e saj. Gruaja e tij Nazia Shaheen u dënua në mungesë. Ajo besohet se fshihet në Pakistan.

E ashtuquajtura vrasja për nder e Saman Abbasit tronditi Italinë. Pas zhdukjes së saj, Unioni i Bashkësive Islame nxori një fetva, një vendim fetar, për refuzimin e martesave të detyruara.

Prindërit e saj u dënuan nga një gjykatë në qytetin verior të Reggio Emilia të martën. Shabbar Abbas pretendoi pafajësinë e tij në gjykatë.

“Ky gjyq nuk ka mbaruar, dua të di edhe kush e vrau vajzën time”, ka thënë ai në gjykatë.

Xhaxhai i viktimës, Danish Hasnain, u dënua me 14 vjet burgim për përfshirjen në vrasjen e saj. Hasnain u arrestua në Francë në shtator 2021.

Si adoleshente, Saman Abbas emigroi me familjen e saj nga Pakistani në qytetin e Novellaras. Ajo filloi lidhje dashurie me një burrë të zgjedhur nga ajo. Një foto e saj duke puthur të dashurin e saj pakistanez në rrugë në Bologna thuhet se zemëroi prindërit e saj.

Hetuesit italianë thanë se çifti donte që vajza e tyre të udhëtonte në Pakistan për një martesë të rregulluar në vitin 2020, por ajo refuzoi.

Siç raportojnë mediat italiane, ajo jetonte nën mbrojtjen e shërbimeve sociale që nga tetori i atij viti, por u kthye në shtëpinë e familjes në Novelara në fund të prillit 2021, pas së cilës u zhduk.

Prokurorët thanë se ajo ishte mashtruar për t’u kthyer në shtëpi.

Pamjet e kamerave tregojnë tre anëtarë të familjes së Samana Abbassit duke ecur me lopata, një levë dhe një çantë blu më 29 prill 2021. Të nesërmen, pamjet tregojnë adoleshenten e zhdukur duke dalë nga shtëpia me prindërit e saj.

Një autopsi më vonë zbuloi se Saman Abbassi kishte një klavikulë të thyer, që ka ardhur si rezultat i vrasjes së saj.

Ideja se vrasja mund të jetë për “çështje nderi” besohet se buron nga disa zakone fisnore në Pakistan, ku akuza kundër një gruaje besohet se i sjell turp familjes së saj.

Sipas këtyre zakoneve, anëtarët meshkuj të familjes së një gruaje që ndërvepron me burra të tjerë, sado të padëmshëm, pa “rregullimin e familjes”, fillimisht duhet të vrasin gruan dhe më pas të ndjekin burrin.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se arsyet më të zakonshme për “vrasje nderi” janë kur viktima refuzon të hyjë në një martesë të rregulluar ose përdhunohet ose sulmohet seksualisht. Por vrasjet mund të kryhen për arsye më të parëndësishme, të tilla si veshja në një mënyrë që konsiderohet e papërshtatshme ose shfaqja e sjelljes që konsiderohet e padisiplinuar.

Në Pakistan, qindra gra vriten në këtë mënyrë çdo vit.

Baby Boo