Bullgaria e bllokoi Maqedoninë, nuk ka fillim të negociatave


Sot është dërguar sinjal jo aq miqësor nga Bullgaria duke e bllokuar propozimin e parë për kornizën negociuese. Këtë e tha kryeministri Zoran Zaev pasi në mbledhjen e Komitetit të ambasadorëve, i quajtur KOREPER Maqedonia e mori veton e parë nga Bullgaria.
“Sot ishte i pari KOREPER dhe është shkelur neni 2 nga Marrëveshja me Bullgari, përkatësisht është dhënë bllokada e parë sot. Patjetër kjo për mua nuk do të thotë se i kemi humbur gjasat, ka KOREPER të dytë dhe të tretë para se të mbahet GAK (Këshilli i ministrave) dhe besoj se do të gjejmë zgjidhje”, tha Zaev.

Ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani në deklaratë për TV21 tha se kjo mund të interpretohet si veto, por nga ana tjetër kjo do të thotë edhe 7 ditë shtesë për negociata me Bullgari. Ai shtoi se negociatat me fqinjin lindor është në kuadër të Marrëveshjes së nënshkruar në 2017.
“Sot vendet anëtare nuk arritën që ta harmonizojnë tekstin, dikush këtë mund ta interpretojë si veto, dikush tjetër ta interpretojë si mundësi për të biseduar në 7 ditët e ardhshme që të mundemi ne, në mënyrë bilaterale por edhe kryesia, roli i së cilës është të bëjë harmonizim mes vendeve anëtare, të gjejë zgjidhje”, tha Osmani.

Opinioni publik në Maqedoni këto ditë ishte dëshmitar i kërcënimeve të ashpra nga personalitete bullgare se do ta bllokojnë Maqedoninë për fillim të negociatave nëse nuk pranohen kërkesat e tyre dhe të pranohet se maqedonasit kanë rrënje bullgare. Zaev edhe sot përsëriti se çështjet e identitetit nacional nuk guxojnë të jenë pjesë e kërkesave. Edhe krahas bllokadës Zaev vazhdon të jetë optimist.
“Jam i bindur se pjesa e mençur e vendosjes së punëve në bisedat, ndihma të cilën e jep Gjermania gjatë kryesisë së saj, do të shkaktojnë që në dhjetor ta mbajmë Konferencën e parë ndërqeveritare dhe të vazhdojmë më tutje”, shtoi Zaev.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski pas kësaj, kërkoi dorëheqje nga Zaevi dhe formim të qeverisë teknike.
“Menjëherë të largohen nga pozitat dhe të organizojnë zgjedhje të parakohshme në të cilat qytetarët do të mundeshin, në termin kur do të lejonin autoritetet shëndetësore, ndërsa menjëherë tani ndoshta duhet të fillojmë të mendojmë për idenë që e nisi Aleanca për shqiptarët, për një qeveri për shpëtim nacional”, deklaroi Mickovski.
Këshilli i ministrave i cili duhej të mbahej më 10 ku duhej të caktohej korniza negociuese, është caktuar për më 17 nëntor, ndërsa Konferenca ndërqeveritare paralajmërohet për në dhjetor.

Baby Boo