Brigada enigmatike “Hasan Prishtina”, flet pjestari i saj Fadil Geci


Në vazhdën e polemikave rreth aktakuzës për veteranët fantom të UÇK’së, njëra prej gjërave që ra në sy më së shumti është një brigadë e quajtur “Hasan Prishtina”, që sipas aktakuzës është themeluar në vitin 2016 – 17 vjet pasluftës. Mirëpo, Fadil Geci thotë se ishte pjesëtar i saj dhe për këtë i ka disa selame për Hashim Thaçin dhe të tjerët.

Aktakuza e prokurorit Blakaj thotë se Brigada “Hasan Prishtina” u formua në vitin 2016 nga veteranët e rrejshëm. Por, Fadil Geci, i cili thotë se ka themeluar këtë brigadë bashkë me Sali Çekun dhe Adem Jasharin, thotë se kjo brigadë “është baba i krejt veteranëve”.

“Hasan Prishtina është baba i krejt veteranëve. Ajo ia ka fillu edhe ajo e ka mbaru. 60 vetë të saj e kanë mbrojt shtetin e Kosovës si institucion. Dmth që kanë qenë drejt të lidhur me kryeministrin edhe me Sali Çekun edhe me Adem Jasharin”, ka thënë Fadil Geci për Gazetën Express.

Mashtrimet me listat e veteranëve është një temë që po diskutohet që nga viti 2015, atëherë kur u formua Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranit.

Fadil Geci, i cili thotë se ishte në krye të kësaj Brigade, ka hedhur edhe akuza të rënda ndaj Presidentit Hashim Thaçi.

“Kryetari Hashimi, le t’i kallxon dajtë që ju kanë mytë në tërfurk e ju kanë shpërthye, e që i ka ba veteran. T’i tregojë Hashimi ata, nuk kanë faj komisioni o Hashim Thaçi. Me ty kam punë, jo me ata”, i çoi selam Geci, Thaçit, përmes bisedës me Gazetën Express.

“’Hasan Prishtina’ edhe na familja Geci jena kanë bashkëpunëtorë të Adem Jasharit. Unë jam përgjegjësi për këto punë. S’ka lidhje Gani Geci me këtë punë”.

Nga ana tjetër, edhe vetë Gani Geci mohoi se ishte i përfshirë në këtë brigadë. Ai madje, publikoi edhe aplikacionin për njohjen e statusit të Invalidit të Luftës së UÇK’së, në të cilin ka shkruar se komandant e kishte Adem Jasharin.

Por, pse emri i Brigadës “Hasan Prishtina” doli në pah në vitin 2016?

Nuredin Lushtaku e Faik Fazliu, sipas aktakuzës, kanë thënë se kjo brigadë nuk ka ekzistuar. Por, Fadil Geci, i tha Expressit se me Nuredin Lushtakun kanë biseduar dhe i njëjti ka qenë i interesuar të bëhet pjesë e brigadës.

“Jo, kjo brigadë nuk është shfaqë në vitin 2016. Edhe Adem Jashari u vra, po na kemi dashtë m’i ikë vëllavrasjes, e mos me u vra ndërmjet veti. Na jemi bazë. Na e kemi mbrojt shtetin e Kosovës. Ahmet Krasniqin e kom pas ministër. Krejt Drenicën e kom pas mas veti. Kopilat janë jashtë martesor, pasojat e të cilëve po i shohim sot se ku po na çojnë”, deklaroi Geci.

“Thuj Hashimit po thotë Fadili, invalidë, veteranët dhe për të tjerët kena me hi në detaje me kallxu. Kurse, këtu janë 60 deri 100 vetë që e kanë mbrojt shtetin e Kosovës. Unë bashkë me Sali Çekun e Adem Jasharin, jemi kanë pushka e parë, e ata të tjerët që po thonë jena na, janë kopila”, është porosia e Fadil Gecit.

Baby Boo