Shpenzimet ushtarake në mbarë globin mbërritën nivelin e tyre më të lartë në vitin 2017, që prej Luftës së Ftohtë.
Raporti i fundit i Institutit ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen, në Stockholm, tregon se nepër botë, 1.73 trilionë dollarë u investuan për qëllime ushtarake gjatë vitit të kaluar, gjë që shënon rritje krahasuar me vitin 2016.
Fenomeni është më i ndjeshëm në Lindjen e Mesme. Shtatë prej 10 vendeve me nivelin më të lartë të shpenzimeve për armatime, krahasuar me produktin e tyre të brendshëm bruto, janë pikërisht nga ky rajon.
Ato përfshijnë Omanin, Arabinë Saudite, Izraelin, Kuvajtin e Libanin. Ekspertët e “SIPRI”-t arsyetojnë se, vende si Katari, Arabia Saudite apo Emiratet e Bashkuara Arabe janë të përgatitura të investojnë shuma të mëdha parash në buxhetet e tyre ushtarake, e kjo konsiderohet një shenjë e qarte e mënyrës sesi e shohin këto shtete pozicionin e tyre në rajon.
Në rastin e Rijadit, shifrat e larta dëshmojnë gjithashtu edhe shqetësimin me të cilin ai e sheh rivalin e vet të madh, Iranin. Luftrat në Siri e Jemen, nga ana tjetër, janë tregues se këto vende jo vetëm po i shtojnë shpenzimet e tyre ushtarake, por janë gjithashtu duke u përgatitur t’i përdorin këto armë për arritjen e qëllimeve të tyre.
Republika Islamike, ndërkohë, investon relativisht pak për ushtrinë, e kjo jo se i mungon dëshira për të hedhur më shumë parà në këtë drejtim, por sepse situata ekonomike nuk ia lejon për momentin.