Bizneset shqiptare fillojnë të ndiejnë pasojat e koronavirusit


Ndonëse Shqipëria nuk ka ende asnjë rast të konfirmuar me koronavirus, bizneset vendase kanë filluar të ndiejnë pasojat e virusit që ka shkaktuar panik në gjithë botën dhe ka tronditur bursat globale.
Ndikimi po vjen përmes dy prej shteteve më të prekura, Italisë dhe Kinës. Italia është partneri kryesor i Shqipërisë, me 33% të volumit tregtar, ku efekti më i lartë mund të jetë tek eksportet, ndërsa Kina është partneri i tretë tregtar i vendit, sa i përket importeve.

Alban Zusi, President i Qendrës Shqiptare të Eksporteve pohon se bizneset shqiptare kanë tashmë pasoja nga kjo situatë. Për sa i përket te marrëdhëniet me Kinën, dëmi më i madh është shkaktuar në ato biznese që kanë kontrata për linja prodhimi, të cilat importohen nga Kina. “Prej dy muajsh fabrikat në Kinë janë pothuajse të mbyllura dhe çdo investim i tyre është i vonuar. Fabrikat me Kinën pritet të hapen në mesin e muajit mars”, tha Zusi për Monitor.

Të dhënat e INSTAt tregojnë se makineritë dhe pajisjet elektrike dhe pjesët e tyre janë grupi më i importuar nga Kina, me një vlerë mbi 100 milionë euro në 2019-n.

Në marrëdhënie me Europën, sidomos këto 2 javët e fundit ku ka shtim të rasteve të prekura në Itali, kjo sipas Zusit, ka ndikuar në reduktimin e lidhjeve, lëvizjes së sipërmarrësve dhe menaxherëve për kontakte direkte. Këto janë të domosdoshme, pasi biznesi ka qarkullim mallrash, por edhe qarkullim të njerëzve. “Pra këto lëvizje janë reduktuar, e cila pa diskutim do të reflektojë në punën e biznesit, pasi disa marrëdhënie janë të domosdoshme për kontakte nga afër. Situata me Italinë po përkeqësohet. Këto janë pasojat e momentit”, thotë Zusi.

Gjysma e eksporteve shkojnë në Itali

Shqipëria ka lidhje të fortë tregtare me Italinë, sidomos sa i përket eksporteve. Sipas të dhënave të INSTAT, drejt Italisë shkojnë 48% e totalit të eksporteve në 2019-n, ku peshën kryesore se zënë tekstilet e këpucët, (rreth 60% e totalit), e më pas “Materiale ndërtimi dhe metale”, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”. Italia renditet dhe si partneri i parë për importet me 25% të totalit të blerjeve që bëjmë nga gjithë vendet e botës.

Grupmalli më i importuar janë “tekstilet dhe këpucët”, me 25% të totalit që vjen nga Italia, e lidhur me faktin që një pjesë e tyre janë lëndë e parë dhe më pas rieksportohet e përpunuar. Industria telstile dhe e këpucëve është e lidhur ngushtë me shtetin fqinjë, pasi rreth 70% e eksporteve të këtij grupi kanë si destinacion Italisë.

Grupmallrat e tjera më të importuara nga Italia janë “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” (20% e totalit të importeve nga Italia), “Ushqim, pije duhan” (12%), “Materiale ndërtimi dhe metale” (11.5%).

Shqipëria është shteti në rajon që ka varësinë më të lartë të eksporteve nga një vend i vetëm, sipas një raporti të FMN-së për zinxhirin global të vlerës, botuar më parë. Kjo e bën vendin tonë tepër të varur nga zhvillimet e mundshme në shtetin fqinjë, pasi fabrikat shqiptare punojnë me sistemin e material porositësit, duke kryer vetëm disa procese, si prerje, qepje hekurosje. Nëse ndërmarrjet italiane të lidhura me to do të ndërprisnin aktivitetin në Itali për shkak të frikës së përhapjes së virusit, kjo do të jepte ndikim dhe në uljen e porosive tek partnerët shqiptarë.

Baby Boo