Betohet Putin, nis mandatin e katërt si President i Rusisë


Vladimir Putin është betuar sot në mandatin e tij të katërt si president i Rusisë, duke zgjatur pushtetin e tij 18 vjeçar në këtë shtet.
Në këtë ceremoni Putin është zotuar se do t’i shërbejë popullit dhe do të punojë në përmirësimin e kushteve për jetesë.

Mbështetësit e tij konsiderojnë se Putin ka ngritur shtetin pas një periudhe të vështirë, derisa kundërshtarët e cilësojnë udhëheqjen e tij si autokraci të korruptuar.

Ceremonia e inaugurimit në Kremlin vjen pas fitores së Putinit në zgjedhjet e marsit, për të cilat ai ka thënë të kenë qenë demostrim i besimit publik, ndonëse kritikët kanë deklaruar se ai proces ka qenë përtej pamjes demokratike.

Kjo ngjarje vjen vetëm dy ditë pasi policia ka ndaluar 1,600 persona, duke përfshirë liderin opozitar, Aleksei Navalny në protestat e mbajtura në disa qytete ruse, në të cilat është shprehur pakënaqësi për pushtetin e gjatë të Putinit.

Shumica e të ndaluarve janë liruar, ndërkohë që disa të tjerë do të përballen me seanca gjyqësore, duke përfshirë Navalnyn, i cili është arrestuar nga policia në Moskë.

Në mesin e pakënaqësive është përmendur edhe qasja e Rusisë me Perëndimin, duke përfshirë shkaqet si vendimi i Putinit për aneksimin e Krimesë nga Ukraina më 2014, mbështetjen e separatistëve në lindje të Ukrainës, përfshirjen e supozuar në zgjedhjet amerikane dhe përkrahjen e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Putin ka përmendur një varg synimesh për mandatin e tij të ri, duke përfshirë uljen e varfërisë në Rusi, modernizimin e infrastrukturës, rritjen e kujdesit shëndetësor, dhe transformimin e ekonomisë.

“Të mbeturit mbrapa në teknologji është kërcënimi kryesor dhe armiku ynë më i madh”, ka thënë ai në adresimin e tij vjetor, disa javë para zgjedhjeve të 18 marsit, në të cilat autoritetet kanë thënë se ka fituar afro 77 përqind të votave./rel

Baby Boo