Besnik Berisha avokat i të akuzuarit për spiunazh: Nuk ka prova, është dëshmitar i Prokurorisë në Hagë

Ka përfunduar seanca për caktimin e masës ndaj dy të dyshuarve për spiunazh.

Besnik Berisha, avokat i të dyshuarit Bedri Shabani, ka folur para gazetarëve pas mbajtjes së seancës në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Berisha ka thënë se në seancën e sotme, Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë për këtë rast.

“Përfunduam seancën dëgjimore për dy qytetarë të cilët pandehen për spiunazh ndaj shtetit për interes të Serbisë. Jam i lumtur që ajo sot që dëgjuam e lexuam nuk arriti të argumentojë asnjë fjali që dy qytetarë të Kosovës kanë spiunu në Serbi. Nuk pat mundësi Prokurori për ta zbuluar një transkriptt të vetëm, një fotografi të vetme, një vëzhgim të vetëm. Parandaj si qytetar, si profesionist, më duhet të them se po që se të shqyrtohen provat e që nuk i kemi pa, e ky spektakël është gabim. Është hetim që ka filluar që 8 muaj, dhe është rezultat që nuk ka prodhuar asgjë, vetëm ka sjellur dy emra familjet e të cilave rrezikohen”, ka thënë avokati Berisha, raporton Nacionale.

Besnik Berisha e ka konfirmuar se Bedri Shabani është dëshmitar i Prokurorisë së Specializuar në Hagë. Megjithatë, detajet të tjera nuk u bënë të ditura.

“Është histori e njohur, nuk i ikë. Është dëshmitar i Prokurorisë në Hagë. Nuk është rast konfidencial, sepse nuk do e zbuloja këtu. Ai mendon se po persekutohet nga biznese të caktuara si rezultat i punës së tij. Sipas tij është dëshmitar në Prokurori, nuk e di për cilin rast sepse janë disa raste. Ka refuzu që të kishte masa mbrojtëse”, ka thënë Berisha më tutje.

Berisha ka bërë të ditur se klienti i tij i ka dajtë në Sarajevë, dhe që ka pirë kafe në Shtërpcë. Por, që nuk ka prova se ai merret me spiunazh.

“Këto nuk lidhen me klientin tonë. Bedri Shabani është prind i kolegut të juaj e kolegut tonë, është prind i gjashtë fëmijëve, qytetar i ndershëm dhe përgjegjshëm. Ka rezultu që t’i ketë dajtë në Sarajevë, e ka rezultu që ka shku nëpër Serbi. Ka rezultu që ka shku me pi kafe në Shtërpcë me komunitetin serb, mbase ndonjë nga ta ka qenë spiun apo i shërbimit, apo kurrë Bedriu nuk ka pasur asi qasje, fakt apo provë që do t’i hynte në punë shërbimit e ta cenonte sigurinë kombëtare. Te Bedriu nuk është gjetur diçka e paligjshme”, ka thënë Besnik Berisha.

Ai akuzoi Prokurorinë për spektakël.

“Është rasti i parë në historinë e drejtësisë që Prokuroria dorëzon kërkesë për masë paraburgimi dhe nuk e sjell asnjë fjalë apo fjali si fakt inkriminues. Prokuroria ka thënë se këta dyshohen për spiunazh dhe duhet të mbahen në paraburgim se do të ndikojnë në hetim. Prokurori spektakël ka manifestu. I thashë urdhëro nxjerre një fjalë apo fjali që Bedriun e bën spiun, atëherë ky do të kërkojë falje. Prokuroria rastin e Bedriut, ka dështuar, e ky është persekutu”, tha Besnik Berisha.

Më tutje ai bëri të ditur se ka frikë që do të caktohet paraburgimi.

“Nuk e di cilido që të jetë vendimi i gjykatës. Volumi i përgjimeve është e pamundur të analizohen në periudhë të shkurtër. Frika jonë është se do të caktohet masë paraburgimi, por kërkon domosdoshmëria kohore”, ka thënë Berisha.

Çka dihet deri tash, çka parasheh ligji?

Dy persona nga komuna e Ferizajt janë arrestuar të mërkurën nën dyshimet për veprën penale “spiunazh”. Prokuroria Speciale i ka ndaluar persona për 48 orë, derisa është bërë edhe kërkesa për paraburgimin e tyre. Në anë tjetër, për rastin kanë folur edhe ekspert të sigurisë, teksa në media janë raportuar edhe “detyrat” që kanë pasur ata nga ana e BIA-s serbe. Çka dihet?

Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi janë arrestuar të mërkurën në Ferizaj pasi dyshohet se kanë bashkëpunuar me shërbimin sekret serb (BIA).

Sipas Prokurorisë Speciale të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe dyshohet për spiunazh.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi””

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi Kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”, nga neni 124 të KPRK-së. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.” – thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Në anë tjetër, mediat kanë raportuar se se njëri nga të arrestuar është bashkëpunëtor i BIA-s serbe që nga vitet e 90-ta.

“I njëjti, sipas këtyre burimeve kishte si detyrë të mblidhte informata dhe të trillonte me qëllim të njollosjes së imazhit të Kosovës duke ndërtuar narracione të njëjta me Serbinë edhe në kontekstin e ndryshimit të fakteve historike.” – raportoi RTK.

Të dyshuarit, sipas mediumit, janë përcjellur që disa vite nga institucionet e sigurisë dhe të njëjtit, i kanë raportuar një zyrtari të shërbimit secret serb i quajtur Sërgjan Rosiq.

“Srdan Rosiq gjatë viteve ’90-ta ka jetuar në Ferizaj derisa ishte i angazhuar si oficer në shërbimin sekret serb. Emri i tij është përmendur edhe në rastin e gjykimit ndaj kryekriminelit serb Slobodan Millosheviq në Tribunalin Ndërkombëtar të krimeve të luftës në Hagë.” – raportohet tutje.

Ndërkaq sipas raportimeve të Express, të dyshuarit kanë tentuar ta diskreditojnë luftën e UÇK-së.

Madje, sipas medias në fjalë, Shabani ka tentuar ndryshimin e të vërtetës edhe për Masakrën e Reçakut, duke provuar shtrembërimin e së vërtetës.

Për këtë rast kanë reaguar edhe ish-anëtarë të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Ish-kryeinspektori i AKI-së, Shkëlzen Sopjani, ka thënë se arrestimi i dy spiunëve shqiptarë në Ferizaj nuk ka qenë diçka e papritur. Kjo sepse, sipas tij, “ka shumë spiuna në Kosovë” dhe se “gjithmonë do të ketë”.

Ndërsa, ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, Serbia investon 40 milionë euro në vit në operacione për ta destabilizuar Kosovën.

Sipas tij, qëllimi i këtyre operacioneve është arritja e qëllimeve destabilizuese dhe kryengritja e serbëve.

“40 milionë në vit janë pare e madhe për një shtet siç është Serbi me investu në Kosovë në operacione. Qëllimi i shërbimeve serbe është mbajtja e Kosovës jostabile, destabilizimi dhe arritja e asaj që dështoi në Banjska që është kryengritja e serbeve të Kosovës”, ka thënë Ramadani në “Pressing” në T7.