Belgjika miraton propozimin për katër ditë pune në javë


Punonjësit në Belgjikë do të mund të zgjedhin që të punojnë katër ditë në javë nga 10 orë, në vend të pesë ditëve dhe 8 orë punë, në kuadër të një sërë reformash që janë duke u bërë në tregun e punës.

Duke folur pasi qeveria e tij federale e koalicionit arriti një marrëveshje brenda natës, kryeministri Alexander De Croo ka thënë se pandemia i kishte detyruar njerëzit të punonin më fleksibël dhe të kombinonin jetën e tyre private dhe të punës.

“Kjo ka çuar në mënyra të reja të punës”, ka thënë ai në një konferencë për shtyp.

Aplikimi i reformave megjithatë mund të kërkojë muaj të tërë, pasi ligji duhet të kalojë në lexim të parë nga ana e deputetëve, para se të hyjë në fuqi.

Me këtë ligj, punonjësit në sektorin privat por edhe ata publik do të jenë të barabartë në çdo aspekt, duke filluar nga mbrojtja juridike e privilegjet e tjera.