Bekteshi: “Termocentrali TE-TO do të nisë të punojë më 1 nëntor”


Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, njoftoi dje se termocentrali kogjenerues TE-TO në Shkup, i cili do të prodhojë energji elektrike dhe termike, do të fillojë të funksionojë nga 1 nëntori. Ai shtoi se qytetarët nuk duhet të shqetësohen, gjegjësisht se energjia termike do të jetë në dispozicion për konsumatorët e Shkupit në sezonin e ardhshëm të ngrohjes, transmeton Portalb.mk.

Ajo që mbetet e paqartë për momentin është se çfarë parashikon marrëveshja mes TE-TO-s dhe autoriteteve shtetërore në lidhje me funksionimin e këtij kapaciteti energjetik, por edhe nga ku dhe nga kush do të blihet gazi natyror, i cili është i nevojshëm për prodhimin e energjisë elektrike dhe termike.

Ministri Bekteshit dxje nuk dha shumë detaje lidhur me funksionimin e TE-TO. Ajo që mbetet ende për t’u përcaktuar është se ku dhe me çfarë çmimi ShA EMV do ta blejë gaz. Kjo shoqëri aksionare shtetërore informoi se tashmë kanë pranuar ofertat për blerjen e gazit natyror për ngrohtoret e Shkupit, por gjithashtu ka kërkuar nga tre kompanitë që kanë dorëzuar ofertat që të përpunojnë informacionin që kanë dërguar, në lidhje me ofertat përfundimtare për blerja e gazit për muajin nëntor për funksionimin e termocentraleve Lindje, Perëndim dhe Energjetika dhe ofertat për përfshirjen e mundshme në mënyrën e funksionimit të termocentralit TE-TO.

Ndryshe, një opsion tjetër për funksionimin e TE-TO-s, që u përmend nga qeveria e Maqedonisë muajin e kaluar, është marrja e gazit si energjens nga Serbia, me të cilin TE-TO do të mund të funksionojë, në këmbim të një çmimi të garantuar për energjinë elektrike, e cila pjesërisht do të eksportohej në Serbi. Qeveria e Maqedonisë, edhe pse fillimisht premtoi, në një konferencë të javës së kaluar njoftoi se nuk do të ketë asgjë nga një shkëmbim i tillë me Serbinë, për shkak të ndalimit të eksportit të gazit natyror. Mirëpo, Serbia këtë fundjavë e hoqi ndalimin për eksportin e gazit natyror në Maqedoni dhe këtë informacion e bëri të ditur vetë kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Ndryshe, Bashkimi Evropian ka premtuar 500 milionë euro për përmirësimin e infrastrukturës energjetike në Ballkanin Perëndimor, tha dy ditë më parë kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Maqedoninë e Veriut në vizitën e parë të turneut nëpër rajon.

Njoftimi vjen pasi rritja e çmimeve të energjisë të shkaktuara nga lufta e Rusisë në Ukrainë dhe fillimi i dimrit shkaktuan valë tronditëse në ekonomitë evropiane që tashmë po luftojnë me rritjen e inflacionit.

Sipas Von der Leyen, ndihma fillon me 80 milionë euro në mbështetje të menjëhershme buxhetore për Maqedoninë e Veriut për të “ndihmuar në përballimin e ndikimit të çmimeve të larta të energjisë”.

“Por sigurisht që do të vijnë më shumë. Për shembull, ka 500 milionë euro grante për të gjithë rajonin për të investuar në lidhjet energjetike, efiçencën e energjisë dhe sigurisht energjinë e rinovueshme”, tha Von der Leyen, duke theksuar rëndësinë e të qenit i pavarur nga karburantet fosile ruse. Një pjesë e mbështetjes është përmes blerjes së përbashkët të gazit në tregun botëror.

Baby Boo