Bekteshi: Nesër takim me kompaninë për furnizim me gaz natyror


Ekipi qeveritar i Maqedonisë i udhëhequr nga kryeministri Dimitar Kovaçevski nesër do të ketë takim me kompaninë e gazit natyror, të cilin e ka treguar lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, njoftoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Bekteshi, siç tha ai, do të marrë pjesë në takimin, i cili nuk do të mbahet në Shkup, por do të jetë jashtë vendit dhe opinioni do të informohet në detaje për bisedimet dhe ofertën.

Takimi me kompaninë tjetër, për blerjen e mazutit më të lirë, për të cilin potencoi edhe Mickoski, pritet në fund të javës, me gjasë në fundjavë, të shtunën ose të dielën.

Po, ne kontaktuam një nga kompanitë. Lidhur me kompaninë e propozuar nga Mickoski për gaz natyror, nesër është paraparë takim me Drejtorin e përgjithshëm, ku do të marrim pjesë unë, kryeministri Kovaçevski dhe këshilltari i tij për energjetikë.

Do të diskutojmë për detajet. Nëse kushtet dhe oferta janë të pranueshme për EMV-në, atë duhet ta bëjë EMV-ja me një tregtar të gazit natyror, theksoi Bekteshi.

Siç theksoi ai, tashmë janë dërguar sasitë dhe nevojat, duke përfshirë edhe nevojat e TE-TO-s.

“Bëhet fjalë për kompani të regjistruar në Evropë. Sipas njoftimeve, nesër oferta duhet të detajohet nga kompania dhe me përfundimin e negociatave do ta informojmë opinionin.

Takimi nuk do të jetë në Shkup, por jashtë Maqedonisë së Veriut. Ne do të kthehemi nesër dhe publiku do të informohet për ofertën dhe se si kanë shkuar negociatat” theksoi Bekteshi.

Për bisedimet me Serbinë, ai vlerësoi se janë afër marrëveshjes.

“Jemi afër marrëveshjes me Serbinë. Ne presim që pala serbe të vendosë, propozimi ynë është dërguar. Ekipi i tyre i ekspertëve duhet të informojë ministren e Energjisë, Zorana Mihajloviq dhe presidentin Vuçiq, por deri më sot, për fat të keq, nuk kemi përgjigje. Nuk do të presim, sepse po shqyrtojmë oferta të ndryshme” tha ministri.

Ai edhe një herë apelon qytetarët që të mos shqetësohen sepse do të ketë ngrohje dhe rrymë.

“Por kjo nuk duhet të jetë në dëm të Buxhetit. Prandaj, do të lidhet një kontratë për ofertën më të mirë. Qytetarët duhet të jenë të qetë sepse ne mund të mbulojmë 100 për qind të energjisë termike nga ngrohtoret, por nëse TE-TO funksionon kostot do të jenë më të vogla” tha Bekteshi.

Baby Boo