Bekim Jashari ia lë historisë t’i ndëshkojë zyrtarët që ia dhanë lejen Vuçiqit


Bekim Jashari, nip i Adem Jasharit njëherësh Kryetar i Skenderajt, ia ka lënë historisë t’i dënojë zyrtarët e Shtetit të Kosovës që ia dhanë lejen Aleksander Vucicit të shkojë në Banjë.

Kreu i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, në një deklaratë për Express, thotë se asnjëri nga zyrtarët shtetërorë kosovarë nuk ka kërkuar leje nga ai rreth vizitës së Vucicit në Drenicë.

“Neve askush nuk na ka pyet asgjë. Për vizitën e Vucicit në Drenicë na e kemi marrë vesh përmes mediave. Qytetarët janë organizuar me shoqatat e dala nga lufta që të dalin në protestë. Ata janë ende nëpër rrugë”, ka thënë Jashari.

Pyetur nëse liderët shtetërorë duhet ta marrin përgjegjësinë rreth vizitës së Vucicit në Banjë të Drenicës, Jashari ka deklaruar shkurtë se të njëjtit do t’i gjykojë historia duke i cilësuar si të ngutshme veprimet e palës kosovare.

“Mendoj që ka qenë veprim i ngutshëm, kushdo qoftë që e ka marrë iniciativën që ta lejojë Vucicin të hyjë në Drenicë. Por sidoqoftë le të mbetet ta ndëshkojë historia, kushdo që e ka dhënë lejen”, ka thënë Jashari.

Ai tha se nuk i ka lexuar deklaratat e Thaçit drejtuar protestuesve. Por zotohet se Vucic nuk do të hyjë asnjëherë në Drenicë pa kërkuar falje në emër të Serbisë për krimet e bëra.

“Unë nuk kamë pas kohë që të merrem me deklaratat e Thaçit, nuk i kam pa. Pa i dëgjua me veshët e mijë e pa i pa nuk kamë ndonjë deklaratë. Vucici e patë mundësinë që të kërkojë falje, që të tregojë se është ndryshe nga qeveritë e kaluara. Jo që të na i shërojë plagët e të na i kthejë më të dashurit tonë, por mundi që ta thyejë tabunë. Qytetarët e Drenicës i tregun edhe njëherë që nuk kalohet në Drenicë pa kërkuar falje”, thotë tutje Bekim Jashari.

Ai deklaron se nëse Vucic tenton prapë të futet në Drenicë, ai do ta marrë përgjigjen e njëjtë./Pacensure

Baby Boo