Bardhyl Mahmuti Përkujtimi i Kampit të Aushvicit dhe gjenocidi në Kosovë


Përkujtimi i Kampit të Aushvicit dhe gjenocidi në Kosovë

Sipas Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit veprimet që përbëjnë gjenocidin “kanë për qëllim shkatërrimin e tërësishëm apo të pjesshëm, fizik ose biologjik, të një grupi nacional, etnik, racor ose fetar, si të tillë”.

* * *

Në datën 27 janar bota përkujton ditën e çlirimit të Kampit famëkeq të Përqendrimit në Auschwitz (Aushvic). Ky kamp përqendrimi u shndërrua në sinonim të gjenocidit nazist kundër popullit hebre, sepse në të u zhvendosën me tren mbi një milion pjesëtarë të këtij populli, shumica dërmuese e të cilëve u vranë.
Në këtë përvjetor po veçoj vetëm disa aspekte që lidhen me krimin e gjenocidit.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore gjykatat ndërkombëtare dhe të shteteve veç e veç ndoqën dhe ndëshkuan regjimin që kreu gjenocid dhe zinxhirin komandues nga kreu i shtetit e deri te kriminelët që ekzekutuan krimin më të shëmtuar që njeh e drejta penale ndërkombëtare.
Ky ndëshkim duhej të përcillte mesazhin se bota nuk do të tolerojë përsëritjen e krimeve të kësaj natyre. Në funksion të këtij mesazhi u miratua Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit.
Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit përcakton se cilat akte hyjnë në këtë kategori krimi. Për arsye se një numër i politikanëve, gazetarëve dhe atyre që marrin fjalën në rastet e përkujtimit të akteve gjeocidare në Kosovë përdorin terminologji joadekuate, e shoh të udhës që të ndalem shkurtimisht në këtë konventë, sepse kjo do të na mundësojë që të shohim mjetet e manipulimit që përdorin mohuesit e gjenocidit serb në Kosovë.
Ajo që më duket thelbësore të tërheq vëmendjen ka të bëjë me faktin se sipas kësaj konvente “që të kualifikohet si gjenocid, akti kriminal duhet të jetë kryer me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht një grup i caktuar nacional, etnik, racor ose fetar, si i tillë.” Pra, është pikërisht “QËLLIMI” që të SHKATËRROHET tërësisht ose pjesërisht grupi «SI I TILLË” ajo që e karakterizon gjenocidin dhe që e dallon nga krimet e tjera. (Neni II i Konventës).
Siç shihet, as termi “zhdukje” as termi “shfarosje”, terme që përdoret shpesh në hapësirën politike dhe mediatike të Kosovës, nuk hynë në definicionin e krimit të gjenocidit. “Shfarosja” si nocion hyn në kuadër të krimeve kundër njerëzimit, që paraqesin krime të një shkalle më ulët në krahasim me krimin e gjenocidit. Prandaj, ata që përdorin nga padituria e tyre këtë term kur flitet për krimet serbe duhet ta dinë se përdorin një nocion që e ulë përgjegjësinë kriminale të shtetit serb.
Në këtë përkufizim nuk përcaktohet ASNJË NUMËR, ASNJË PËRQINDJE në bazë të së cilës shkatërrimi i pjesshëm i grupeve të lartpërmendura do të mund të konsiderohej si gjenocid. Në këtë kontekst po përmend studimin e Nicodème Ruhashyankikos, që u publikua si studim i Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së .
Në “Studimin e çështjes së parandalimit dhe ndëshkimit të krimit të gjenocidit» Ruhashyankiko thekson se “përkundër asaj që qëllimi i Konventës është parandalimi dhe ndëshkimi i akteve të gjenocidit të drejtuara kundër një numri të madh personash, asgjë nuk e ndalon që këto dispozita të interpretohen dhe të aplikohen në rastin e vrasjeve individuale. Edhe në rastet kur rezultati është VRASJA E NJË PERSONI TË VETËM, fakti se qëllimi i kriminelit është drejtuar kundër jetës së më shumë se një anëtari të grupit, nuk paraqet asnjë pengesë që dispozitat e Konventës të aplikohen edhe në këtë rast (…)
Megjithatë, një pjesë e autorëve mendojnë se për ta cilësuar krimin si gjenocid atëherë një numër më i madh personash duhet të jenë goditur nga ky veprim. Sipas disa autorëve, që të cilësohet krimi si gjenocid, ata mendojnë se duhet të kemi “qindra apo mijëra viktima” gjatë aksioneve që kanë për qëllim shkatërrimin e një grupi si të tillë.

Cilësimi i krimeve në Kosovë si gjenocid nuk ka për qëllim t’i “banalizojë” gjenocidet e aplikuara kundër popujve tjerë në periudha të ndryshme kohore. Përkundrazi. Manipulimi me numrin e vrasjeve dhe heshtja e qëllimit për të shkatërruar shqiptarët e Kosovës, si të tillë, paraqet një formë të banalizimit të krimeve me qëllim të mohimit të gjenocidit.
Kriminelët e regjimit të Beogradit dhe mohuesit e gjenocidit serb e dinë se nëse nuk arrihet të dëshmohet “qëllimi” për të shkatërruar tërësisht apo pjesërisht shqiptarët e Kosovës, asnjë arsyetim ideologjik apo politik nuk është i mjaftueshëm për ta kualifikuar krimin e Serbisë si gjenocid. Për këtë arsye, strategjia për të mohuar “qëllimin” dhe fshehja e gjurmëve u shndërruan “në sistem të shkatërrimit të së vërtetës dhe kujtesës… në sistem të shkatërrimit të bindjes lidhur me krimin dhe të futjes së dyshimit për vërte¬tësinë e krimit…”
Krahas vrasjeve që synonin shkatërrimin fizik të shqiptarëve të Kosovës, forcat serbe aplikuan edhe formën e “gjenocidit biolo¬gjik”.
Në përputhje me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, cenimi i integritetit fizik dhe mental të anëtarëve të një grupi nacional, etnik, racor apo religjioz përbën akt të gjenocidit. Sot askush nuk mund ta kontestojë faktin se dhunimi dhe dhuna seksuale mbi një femër përbën cenim të rëndë të integritetit fizik apo mental të personit të dhunuar. Dhunimet seksuale në Bosnje, në Kroaci dhe Kosovë u bënë si mjet bashkë¬kohor i luftës që kishte për qëllim “shkaktimin e dëmeve të pariparueshme ndaj anëtarëve të grupit. Aq më tepër kur ky keqtrajtim është bërë me atë qëllim.” Dhunimi dhe dhuna seksuale përbëjnë shkelje të konventës së lartpërmendur sepse dhunimi i shkakton viktimës traumatizëm dhe plagë të pashlyera psikologjike.
Duke u bazuar në faktin se dhunimi paraqet një cenim të rëndë të integritetit fizik dhe mental të viktimës, Gjykata Penale Ndërkombëtare për Rwandën e cilësoi dhunimin si formë e gjeno¬cidit. Ndërsa, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, nën ndikimin politik, hoqi cilësimin e këtyre krimeve si gjenocid.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për Rwandën i cilësoi dhe i dënoi dhunimet seksuale të Hutu-ve ndaj Tutcive si akte gjenocidi për shkak të faktit se dhunimi paraqet cenim të rëndë të integritetit fizik dhe mendor të viktimës. Të konsiderohen si krime lufte aktet e njëjta që forcat ushtarake dhe policore serbe bënë në Bosnje, në Kroaci dhe në Kosovë dëshmon për një raport të caktuar të forcave politike dhe për presionin që iu bë Gjykatës Penale Ndër-kombëtare për ish-Jugosllavinë për të hequr akuzën për gjenocid.

Me një fjalë, krimet e kryera në Kosovë nuk kanë qenë jashtë kontrollit të strukturave politike, ushtarake dhe policore serbe, por ishin rezultat i një plani që kishte për qëllim shkatërrimin e shqiptarëve si të tillë dhe ndryshimin e strukturës së popullsisë së Kosovës. Të gjitha aktet e dhunës që forcat serbe kryen ndaj shqiptarëve të Kosovës (vrasjet, plagosjet, keqtrajtimet, dhunimet seksuale, poshtërimet, cenimet e integritetit fizik dhe mental të tyre, dëbimit nga Kosova etj) kishin për qëllim të shkatërronin një pjesë të shqiptarëve për shkak të përkatësisë së tyre etnike.

Vrasja sistematike e civilëve të paarmatosur shqiptarë, vrasja e 1392 fëmijëve, e 1739 grave dhe e mijëra pleqve që nuk paraqisnin asnjë rrezik ushta¬rak, dhunimi i mbi 20 mijë femrave shqiptare dhe zhdukja e 1657 kufomave civile dëshmojnë se forcat serbe aplikuan gjenocidin fizik dhe biologjik në Kosovë me qëllim të shkatërrimit të shqiptarëve të Kosovës, si të tillë.
Sa i përket “qëllimit për të shkatërruar një grup nacional, etnik, racor ose fetar”, që përbën thelbin e gjenocidit, nuk ka asnjë dallim mes gjenocidit të aplikuar nga regjimi i Hitlerit kundër hebrenjve dhe gjenocidit të aplikuar nga regjimi i Milosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës. Dallimi qëndron në përmasat e realizimit të qëllimit.

Fotografia e Bardhyl Mahmuti
Fotografia e Bardhyl Mahmuti
Fotografia e Bardhyl Mahmuti
Baby Boo