Bardhyl Mahmuti i kundërpërgjigjet Muhamed Kanjollit

Të nderuar,
Nëpërmjet FB u njoftova nga Muhamed Kajolli për një reagim që kishte bërë kundër shkrimit tim lidhur me të drejtën e popullit hebre të ketë për kryeqytet të vetin Jerusalemin. Sa kam njohuri tani për tani këtë shkrim e ka publikuar portali ALMAKOS.
Të bashkangjitur keni përgjigjen time ndaj këtij reagimi.
Me respekt
Bardhyli
………………………………………………………………………………….

«Leksionet historike» të Dr Muhamed Kajollit!
Nën arsyetimin se hoxhallarët ishin të zënë me ramazan dhe nuk kishin kohë të reagonin kundër shkrimit tim “Jerusalemi si kryeqytet i Izraelit është vendim politik e jo religjioz dhe e drejtë legjitime e popullit hebre!”, Dr Muhamed Kajollit kishte vendosur të me jep “një leksion të historisë” pasi që kishte qëlluar i lirë.
Por, para se të hyjë në “leksionet historike” ky person që i vë titullin doktor pare emrit të vet merret me parapsikologji duke detektuar se qëndrimi im kundër atyre «që përdorin vetëm emrin arab të Jerusalemit» dhe pohojnë se «Izraeli e invadoi Jerusalemin» qenkësh shprehje e “mllefit tim” kundër hoxhallarëve! Doktor se jo mahi ky far Muhamed Kajolli!
Pas spekulimeve parapsikologjike, ky far alamet doktori i gjithanshëm hyn në fushën e historisë së edukimit kombëtar që paska qenë mision i hoxhallarëve, prej të cilëve edhe gjyshi im paska marrë mësime që të mos martohemi me shkina, të mos veshemi si shka, të mos hamë si shka, të mos ecim si shka, të mos shkojmë në vendet ku janë shkiet… Por fatkeqësisht, ne që “mendonim si komunistë u tjetërsuam dhe populli vuajti të zitë e ullirit”!

Duke më klasifikuar në kategorinë e komunistëve jugosllav, prej të cilëve populli shqiptar ka vuajtur të zitë e ullirit, ky far Muhamed Kajolli e tregoi se çfarë doktori është! Ndoshta e ka pasur mizën pas veshi dhe ka përdorur logjikën e njohur që sintetizohet në fjalën e bukur popullore: «T’i them sa s’më ka thënë». Sikur të kishte qenë vërtet një intelektual i përgjegjshëm ai do të kishte bërë përpjekje për të hulumtuar lidhur me përkatësinë time ideologjike dhe do të gjithë pa përjashtim do t’i kishin treguar se as babagjysh, as babë e asunë vet kurrë nuk kemi qenë në asnjë strukturë të komunistëve jugosllavë. Përkundrazi, babai im, unë dhe një numër anëtarësh të familjes sonë kemi kaluar nëpër burgjet dhe hetuesinë komuniste të Maqedonisë, Kosovës dhe Serbisë si nacionalistë që kemi luftuar për të drejtat e shqiptarëve.
Por këtij lloj doktori as që i intereson e vërteta. Përkundrazi, qëllim parësor ka manipulimin me njerëzit që nuk i njohin gjërat. Kur them se qëllim parësor kam si mbështetje edhe leksionin e parë të historisë që ky far Muhamed Kajolli mundohet të ma jep mua është manipulim që duhet t’u shërbejë si shembull nxënësve që të shohin konkretisht se si shtrembërohen gjërat për t’u paraqitur nga një perspektivë tjetër.

Secili lexues që ka lexuar shkrimin tim e ka parë se unë sjell citatin e ambasadorit palestinez në Beograd, Mohamed Nabhan, i cili hodhi poshtë si «të gabueshëm pohimin kur thuhet se Kosova për serbët është si Jerusalemi për Izraelin», sepse sipas tij, «Serbët nuk kanë qenë okupator të Kosovës, meqenëse Kosova është toka e tyre, përderisa izraelitët e kanë pushtuar Jerusalemin».
Dr Muhamed Kajolli as që e përmend ambasadorin palestinez Mohamed Nabhan i cili e konsideron Kosovën si tokë të Serbisë dhe që gjoja Serbia nuk e ka okupuar Kosovën. Përkundrazi, e arsyeton me marifetet që i ka mësuar gjatë doktoratës së tij. A ka turp më të madh se të shtrembërohet mendimi deri në atë shkallë sa mendimi i ambasadorit palestinez të më vishet mua. Për të ilustruar se sa e gabueshme është teza e mbështetur nga Mohamed Nabhani unë solla citatin e historianit francez Alain Ducelier, i cili pohon se: «Të gjitha punimet më të reja nga fusha e linguistikës dhe arkeologjisë dëshmojnë se ilirët janë pa asnjë dyshim paraardhësit e drejtpërdrejtë të shqiptarëve. Secili e di se sllavët janë populli indo-evropian që më së voni kanë ardhur në Evropë, sepse vala e INVADIMEVE të tyre shtrihet nga shekulli i VI dhe VII të epokës sonë. Të gjitha argumentet e tipit “historik” kthehen kundër tezës serbe, sepse Historia na mëson që serbët, në raport me Kosovën, janë INVADUES që kanë ardhur shumë vonë».

Nuk ka turp më të madh se për një njeri që pretendon të ketë titullin e doktorit të shkencave t’i duket “e cekët” hedhja poshtë e argumenteve serbe përmes një profesori të Universitetit të Toulouse (shqiptohet Tuluz). Edhe më keq se kaq. Dr Muhamed Kajolli ma vesh mendimin e Mohamed Nabhanit dhe polemizon me këtë shpifje sikur të ishte ide e imja. Të më vishet ideja që unë e shpartalloj në shkrimin tim është shembull se si manipulojnë një lloj i doktorëve të teologjisë. Të më drejtohesh mua se «nuk e njohkam historinë dhe se sikur ta njihja nuk do të shkruaje fjali të fabrikuara nga serbët për Kosovën, dhe pretendimet e tyre se Kosova është toka e shenjtë e tyre, përmes të cilave janë munduar t’ia mbushnin mendjen botës së Kosova është vend i Serbisë, mu ashtu sikurse izraelitët që ta kanë mbushur mendjen ty, se, Kudsi është e drejtë e Izraelitëve» është njëlloj sikur ajo shprehja popullore «Hajde babë të t’i tregoj mexhet e arës». Secili lexues që njeh veprimtarinë time intelektuale është në dijeni se libri im i titulluar «Mashtrimi i Madh» ka kaluar një numër filtrash akademikë nga bibliotekat universitare me renome në botë dhe është libri që i çmonton tezat serbe të shpërndara nga provinienca të ndryshme ideologjike, politike dhe religjioze.
Pas mbrojtjes së heshtur që ia bën ambasadorit palestinez përmes këtij manipulimi skandaloz, Dr Muhamed Kajolli e bën krejt skllotë: mundohet ta arsyetojë tezën serbe se gjoja «shqiptarët e kanë invaduar». Por, me perfiditet duke u munduar me la …

Ky “doktor i gjithëdijshëm” i jep vetes të drejtë të na mbajë leksion të historisë mua dhe të gjithë atyre që nuk e dinë se «kur banorë të fiseve (ilire) pranuan islamin filluan t’i quajnë shqiptarë për t’i dalluar nga të tjerët p.sh. nga arbërit që ishin krishterë. Pra, kuptimi i shprehjes shqiptarët invaduan Kosovën do të thotë, shqipfolësit muslimanë kur invaduan Kosovën (kur u bënë shumicë), nga shqipëfolësit ortodoks…” e jo nga serbët, ndonëse serbët ishin pushtues të tokave të shqipfolësve ortodoks e katolikë që njiheshin me emrin arbër ose me emra të tjerë». A ka skllotë më e madhe se të kufizosh procesin e identifikimit të emrit shqiptarë me ardhjen e Perandorisë Otomane dhe ta ruash si ekskluzivitet vetëm për shqiptarët e besimit islam!!! Këtë e bën vetëm një doktor i llojit të Muhamed Kajollit. Më duket tejet neveritëse të përpiqem t’i nxjerr në shesh të gjitha ndyrësirat që përmban ky paragraf i këtij teologu.
Të gjitha të dhënat shkencore dëshmojnë në mënyrë të padiskutueshme se shqiptarët kurrë nuk e kanë invaduar Kosovën sepse ata nuk mund ta invadojnë tokën e tyre. Gjatë pushtimit otoman një numër i madh i shqiptarëve në të gjitha viset e tyre u konvertuan në fenë islame dhe kjo nuk i jep të drejtë askujt që të pohojë se gjoja «shqipfolësit na qenkëshin vetëm ilirët e islamizuar për dallim nga arbërit dhe fiset tjera ilire të besimit ortodoks e katolik».

Muhamed Kajolli shtroi «edukimin përmes mësimeve të hoxhallarëve nëpër xhami e oda» dhe shkoi aq larg sa të pretendojë që «gjyshi im më paska edukuar në atë frymë», edhe pse ai ka vdekur para se të lindë unë. Është e drejtë e këtij lloj doktorësh shkence të lëshohen në hipoteza të tilla. Unë do të isha lutur që nipërit dhe mbesat e Muhamed Kajollit dhe bashkëmendimtarëve të tij të mos edukohen me mendimin se gjoja «shqiptarë janë vetëm ilirët e islamizuar», sepse nëse i dëgjojnë këto budallallëqe bashkëmoshatarët e tyre do të qeshin si dikur kur qeshnim me arushën!
Për të nxjerrë në shesh të gjitha budallallëqet e Muhamed Kajollit do të duheshin me qindra faqe. Po kufizohem vetëm edhe me një çështje, për të cilën është nxehur sorta e teologëve si Muhamed Kajolli: çështjen e Jerusalemit.

Të gjitha të dhënat shkencore dëshmojnë se që nga shekulli i XIV para epokës sonë, kur përmendet për herë të parë Urushalemi (emër i vjetër i Jerusalemit) në letërkëmbimin e Faraonit egjiptian Akhenaton me mbretin e këtij vendbanimi, e deri në shekullin e VII të epokës sonë kur u okupua nga arabët kanë kaluar mbi njëzet shekuj histori të mbushur plot e përplot tragjedi. Çështja është se si interpretohet historia.

Nëse ndonjë historian i periudhës antike të Krosanit Pjellor do të lexonte kronologjinë e paraqitur nga ky doktor shkence që pretendon të mbajë leksione historie, jam i sigurte se do të neveritej nga ajo se çka u pjell mendja disa teologë. Nuk do të ndalem në trajtimin e këtyre budallallëqeve, sepse janë temë që e trajtoj gjerësisht në vëllimin e dytë të një studimi që do të botohet vitin e ardhshëm.

Po shkoqit vetëm një segment nga kronologjia që sjell Dr Muhamed Kajolli në reagimin e tij. Në disa rreshta kronologji ku përshkruhet periudha mbi 1100 vjeçare, edhe Muhamed Kajolli përmend sundimin dhe robërinë që përjetuan hebrenjtë nga babilonasit, helenët, romakët…Për të ardhur në shekullin e shtatë të epokës sonë, në vitin 636 kur sipas këtij doktori shkence «myslimanët e çliruan Palestinën gjatë sundimit të Kalifit Umer ibn el-Khatab dhe se që nga ajo kohë Palestina ka fituar karakterin e saj islam dhe populli i saj ka hyrë në fenë islame në mënyrë masive. Banorët e saj jetuan të kënaqur nën dritën e civilizimit islam deri në ditët tona të sotme».

Ajo që për një teolog islam «invadimi i Jerusalemit dhe emërimi i tij si Kuds» konsiderohen si «çlirim» janë leksione të historisë që mund t’i mbajë xhamatit të xhamive apo nëpër oda, por jo në konfrontime të argumenteve shkencore. Në shkencë invadimi dhe okupimi i një territori është realitet që i tejkalon të gjitha bindjet politike dhe religjioze. E jo siç bën Dr Muhamed Kajolli kur mat me kut të dyfishtë. Për 1100 vjet para invadimit islam të Jerusalemit ai përdor termet sundim dhe robëri ndërsa kur pushtohet nga arabët atëherë ai është çlirim! Doktor shkence se jo mahi! Me të njëjtën logjikë të matjes me dy kute, sapo ky qytet bie në duar të krishterëve atëherë për Muhamed Kajollin «Kryqtarët PUSHTUAN Kudsin dhe themeluan Mbretërinë e Elias dhe sundimi i tyre zgjati 88 vjet, pra nga viti 1099 deri më 1187 derisa Salahud-din Ejubi e ÇLIROI atë pas betejës së Hittinit».

Ai që pretendon se qëndrimet e mija janë të cekëta nuk e sheh cektësinë e shkrimit të vet se megjithatë është shtrënguar që të tregojë se arabët kanë ndërruar emrin e Jerusalemit mijëra vjet më vonë. Prandaj, i verbuar nga pikëpamjet religjioze ai nuk e sheh gabimin logjik që e bën kur tërheq paralelizma në mes toponimeve Jerusalem/ Kudsi Sherif me Shkup dhe Skopje.
Sllavët janë popujt që kanë filluar t’i invadojnë territoret e iliro-shqiptare nga shekulli i VII i epokës sonë (në shekullin kur arabët pushtuan Jerusalemin) dhe rrjedhimisht e kanë gjetur toponimin Shkup para se të vijnë si okupatorë. Njëjtë siç e gjetën arabët toponimin Jerusalem para se ta pushtoni!

Sa i përket përmendjes së rezolutave të OKB-së nga ana e Dr Muhamed Kajollit më duket e kotë, sepse niveli i tij intelektual i dëshmuar në reagimin e tij ma bën me dije se ai nuk është në gjendje ta kuptoj nocionin politologjik të legjitimitetit!
Bardhyl Mahmuti