Banka Botërore parashikon rritje të ekonomisë së Maqedonisë për 3.6 përqind


Banka Botërore në raportin e saj të fundit parashikon rritje të ekonomisë së Maqedonisë këtë vit prej 3,6 për qind, vitin e ardhshëm rritja është parashikuar në 3,5 përqind, ndërsa në vitin 2023 në 3,4 përqind.
Për vendet në rajon është projektuar Shqipëria të ketë rritje të BPV-së prej 4,4 për qind këtë vit, Bosnja e Hercegovina 2,8 për qind, Kosova 4 për qind, Mali i Zi 7,1 për qind dhe Serbia 5 për qind.
Në vitin 2022, sipas parashikimit të fundit të Bankës Botërore, ekonomia e Shqipërisë duhet të rritet për 3,7 për qind, BeH me 3,5 për qind, Kosova dhe Mali i Zi për 4,5 për qind dhe Serbia 3,7 përqind.

Në vitin 2023, rritja e BPV-së në Shqipëri është projektuar në 3,7 për qind, BeH, gjithashtu në 3,7 për qind, Kosova 4,1 për qind, Mali i Zi 3,5 për qind dhe Serbia 3,9 për qind.
Banka në raportin e saj të qershorit “Perspektivat globale ekonomike” parashikon që ekonomia globale do të shënoj rritje në vitin 2021 për 5,6 për qind, që është rritja më e shpejtë pas recesionit në 80 vitet e fundit, kryesisht për shkak të përmirësimit të performancës në disa ekonomi të mëdha.

“Megjithatë, shumë ekonomi në zhvillim do të vazhdojnë edhe më tej të luftojnë me pandeminë e Kovid-19 dhe pasojat e saj”, vlerëson Banka Botërore.
Sipas Bankës, përkundër rimëkëmbjes, prodhimi global deri në fund të këtij viti do të jetë në një nivel prej rreth dy për qind nën projeksionet e vendosura në periudhën para pandemisë.
“Humbjet e të ardhurave për kokë banori nuk do të tejkalohen deri në vitin 2022 në rreth dy të tretat e ekonomive në zhvillim,” thuhet në raport.

Banka tregon se në ekonomitë e varfra, ku procesi i vaksinimit është i ngadaltë, efektet e pandemisë kanë ndikuar negativisht në përpjekjet për uljen e varfërisë dhe e përkeqësuan pasigurinë dhe sfidat e tjera afatgjata.
“Pavarësisht që ka tregues pozitivë të rimëkëmbjes globale, pandemia vazhdon të ndikojë në varfërinë dhe pabarazinë e njerëzve në vendet në zhvillim në botë. Thelbësore do të jenë përpjekjet e koordinuara për ta përshpejtuar shpërndarjen e vaksinave dhe lehtësimin e borxheve, veçanërisht për vendet e varfra. Siç zvogëlohet kriza shëndetësore, politikëbërësit do të duhet të gjejnë zgjidhje për efektet e qëndrueshme të pandemisë dhe të marrin hapa për të nxitur një rritje të gjelbër, elastike dhe gjithëpërfshirëse duke e ruajtur stabilitetin makroekonomik, vlerësoi kryetari i Bankës Botërore, Dejvid Malpa.

Baby Boo