Autostrada e shumëpërfolur Shkup-Bllacë, ende larg realizimit


Autostrada nga Shkupi deri në Bllacë edhe më tej projektohet dhe nuk dihet saktë kur do të fillojë ndërtimi i të njëjtës. Edhe pse zëvendës- kryeministri Bujar Osmani para disa javëve në një prononcim përmes videos paralajmëroi se kanë filluar aktivitetet përgatitore për realizimin e këtij projekti me prioritet, i njëjti ka vonesë.

Punët përgatitore për projektimin dhe realizimin e pjesës tonë të autostradës nga Shkupi drejt Bllacës në gjatësi prej 13 kilometra, tashmë kanë filluar… – tha Osmani.

Megjithatë, nuk është e sigurt se kur do të fillojë ndërtimi i autostradës. Drejtori i Agjencisë për Rrugë, Zoran Kitanov, sot nuk dha përgjigje konkrete se kur mund të ndodh një gjë e tillë.

Nuk është e udhës në ndërtimtari të thoni se, ja paramendoni, ne parashikojmë të përfundojë projekti për tetë muaj. Duhet të bëhen hulumtime gjeomekanike që duhet të tregojnë nëse toka është e mirë apo jo. Duhet të projektohet dhe të përpunohet. Lejoni të bëhet bukur, që të jetë autostradë e mirë – deklaroi Zoran Kitanov- drejtor i Agjencisë së Rrugëve.

Përveç që për momentin nuk ka asgjë nga autostrada drejt Kosovës, duket se nuk do të realizohen as paralajmërimet e pushtetit se prej këtë verë drejt Greqisë do të vozitet nëpër autostradë. Aksi i vjetër Negotinë- Demir Kapi nuk do të riparohet para fillimit të sezonit të ri turistik, edhe pse një gjë e tillë u premtua. Përkundrazi, paralajmërimi i ri i pushtetit është se kjo do të ndodhë kah mesi i korrikut. Por, kjo nuk do të jetë e tëra. Më pas, deri në fund të gushtit për shkak të riparimit të plotë, për trafik do të mbyllet rruga nga drejtimi i kundërt, Demir Kapi- Negotinë. Kjo do të thotë se në arterien kryesore të trafikut, punime ndërtimore do të ketë në mes të verës kur nëpër Maqedoni kalojnë qindra mijë makina nga shtetet evropiane drejt Greqisë dhe Turqisë.

Negotinë- Demir Kapi është 8,5 kilometra, 6,5 janë gati dhe janë lëshuar për përdorim, kanë mbetur vetëm edhe 2,5 kilometra. Por, në ndërkohë aty u paraqit një rrëshqitje e madhe e dheut. Për momentin jemi duke rregulluar rrëshqitjen e dheut – theksoi Zoran Kitanov.

Edhe krahas vonimit të këtyre projekteve, nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, njoftuan për një prioritet të ri. Deri në fund të vitit, Qeveria do të formojë Agjenci të re për Menaxhim të sigurisë në trafik pasi të dhënat kanë treguar se Maqedonia është në pesë pozitat e fundit në Evropa për siguri në rrugë./AlsatM

Baby Boo