Asselborn: Referendumi është zgjedhje mes të kaluarës dhe të ardhmes


Ministri i Punëve të Jashtme i Luksemburgut, Jean Asselborn, pas takimit që pati me homologun e tij Nikolla Dimitrov, në konfrencë për shtyp tha se referendumi i 30 shtatorit është provë për Maqedoninë.

Ai qytetarëve ju tha se duhet të vendosin nëse do të mbeten në të kaluarën, ose do ta zgjedhin të ardhmen, duke shtuar se dalja në votim më 30 shtator duhet të jetë e lartë pasi sipas tij, është në interes të vendit dhe BE-së, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“E di se keni situatë të veçantë në vendin tuaj dhe jam i lumtur që jam këtu në këto momente kyçe për ju, në prag të referendumit të 30 shtatorit. E mbaj mend vitin 2005 kur morët statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe e di sa e vështirë ka qenë për të arritur deri këtu. Tani përsëri jeni në rrugën drejt NATO-s dhe BE-së”, tha mes tjerash Asselborn.

Ai u shpreh i kënaqur që Maqedonia dhe Greqia kanë gjetur zgjidhje për kontestin e emrit, dhe siç tha, dy kryeministrat kanë nxitur atmosferë pozitive në rajon.

Ndërsa Nikolla Dimitrov tha se Asselborn ka pasur rol të rëndësishëm në formulimin e përfundimeve të Këshillit për punë të përgjithshme për rekomandimet për Maqedoninë.

“Me Luksemburgun na lidh edhe simbolika, pikërisht në Luksemburg është nënshkruar marrëveshja për stabilizim dhe asociim me BE-në në vitin 2001”, tha Dimitrov.

Ai shtoi se në takim ata kanë biseduar për kontekstin politik, për situatën në rajon dhe për aktualitetet në kuadër të BE0së.

Baby Boo