ASH për 7 Marsin, Ilire Dauti: do ndërtojmë shkolla, rroga të larta në arsim dhe dinjitet për mësimdhënësit


Aleanca për Shqiptarët nëpërmjet zëdhënëses Ilire Dauti në konferencën për shtyp që mbajti sot në selinë e kësaj partie në Shkup, ka uruar të gjithë mësuesit që i japin dritë, frymë dhe shpirt kombit.

Në vazhdim teksti integral i konferencës së shtypit:

Do doja fillimisht në emër të Aleancës për Shqiptarët të përcjell urimet tona për ata që i japin dritë, frymë dhe shpirt kombit. Gëzuar 7 Marsi, dita e arsimit shqip ju mësues të nderuar! Gëzuar edhe ju nxënës e prindër! Gëzuar shqiptarë!

Kjo ditë feste e arsimit shqip do të kishte më shumë kuptim nëse sot pas 133 viteve nga hapja e Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë nuk do të kishim nxënës të cilëve ju cenohet e drejta për mësim në gjuhën shqipe. Kjo fyen edhe më shumë kur me Ministrinë e Arsimit udhëheq një shqiptar ndërsa, nxënësit e Çashkës, Idrizovës e Manastirit detyrohen të mësojnë në gjuhë të huaj, përderisa ata të Bllacës ende ecin me kilometra në një shtet të huaj, sepse shteti i tyre nuk ka arritur t’u sigurojë as objekt shkollor.

Urimi në ditën e mësuesit nuk është kuptimplotë kur nxënësit e tij edhe tani kur më shumë së një muaj që ka filluar gjysmë vjetori i dytë ende nuk kanë tekste shkollore. E ata që i kanë janë të grisura, gjysmë apo çerek libra e madje përmbajtja e tyre fyen rëndë historinë e lexuesit apo e tall atë.

Urimi për mësuesin do të kishte kuptim kur pamjet nga shkollat nuk do të ishin kaq të tmerrshme e punimet e punuara me aq shume zell nga duart e nxënësve nuk do qëndronin të varur në muret e plasaritura të shkollave, si jo rrallë herë pa kushte elementare për mësim.

Urimi për mësuesin do të kishte kuptim kur arsimi nuk do të ishte skajshmërish i politizuar e nxënësit më të mirë të tyre nuk do të kishin përfunduar si kamerierë apo si mijëra të larguar nga vendi në kërkim të jetës me dinjitet, pa nënçmim e pa kushtëzime.

Ka edhe shumë arsye tjera që e kanë humbur kuptimin kësaj dite sikurse edhe shumë të tjerave e që NE (Aleancën për Shqiptarët) na obligon që pas fitores së 12 Prillit të punojmë me përkushtim në reforma të vërteta të arsimit qe do të përfshinin masa konkrete duke filluar nga :

-Ndërtimi i objekteve dinjitoze për mësim për të gjithë nxënësit pa dallim, sidomos pa dallim etnie

-Hartimi i teksteve të reja shkollore dhe eliminimi i gjuhës diskriminuese ne tekstet shkolle si dhe furnizimi në kohë me të njëjtat.

-Ndryshimi dhe plotësimi i ligjit për arsim të të gjitha niveleve (arsimi parashkollor, fillor, i mesëm dhe sipëror). Ky ndryshim do këtë për qëllim përshtatjen e sistemit arsimor konform nevojave të tregut të punës.

-Rritja e rrogës së punonjësve të arsimit dhe shkencës, në mënyrë që rroga e tyre t’i përmbushë nevojat e standardit jetësor dhe të jetë e përafërt me rrogat që marrin punonjësit e arsimit në vendet tjera evropiane.

Ka shumë probleme që kërkojnë zgjidhje urgjente të cilat në pamundësi për t’i paraqitur këtu shumë shpejt do jenë të disponueshme në programin e përbashkët të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës nën moton “Shtet për të gjithë”.

Dhe për fund dua t’ju inkurajojmë e t’ju ftojmë që dora që mban penën të bëhet dora që do sjell ndryshimin më 12 Prill për të cilin ka nevojë gjithsecili e sidomos edhe ju të nderuar mësues.

S’mund të këtë gjë më të mirë se sa t’ju kthejmë dinjitetin vetvetes.”, theksoi zëdhënësja, Ilire Dauti.

Baby Boo