Arta Bilalli: Po do të jem pjesë e listës për deputet


Arta Bilalli Zendeli

Të nderuar miq,

Sot, dua të ndaj me Ju një lajm për të cilin ka kohë që vazhdimisht më keni pyetur, qoftë në botën reale apo atë virtuale.
Pyetja juaj ka qenë: “A do të jeni pjesë e listës për deputetë të Bashkimit Demokratik për Integrim?”. Nga sot, po ua them se ajo çështje është përmbyllur dhe PO, unë jam pjesë e asaj liste, e renditur në numrin 3 në zonën e gjashtë zgjedhore të RMV.

Miq të nderuar, ky pozicionim tek unë ka shtuar shkallën e përgjegjësisë, auto-kriticizmit dhe dëshirës për të kontribuar për të mirën e përgjithshme!

Unë vazhdoj të jemë po aq e determinuar për të mirën e përgjithshme dhe mendoj se me marrjen e kësaj përgjegjësie do të arrij të kontribuoj për të mirën e shoqërisë tonë.
Gjithmonë i kam shikuar gjërat dhe proceset nga e posaçmja kah e përgjithshmja dhe vazhdoj të mendoj se nëse secili nga ne, e jep maksimumin në punën e tij, nuk ka se si të mos reflektohet ajo tek e mira e përgjithshme.

Të nderuar miq, disa nga Ju edhe më keni kritikuar, më keni thënë: “MOS” në politikë, por disa nga Ju më keni “shtyrë” dhe më keni inkurajuar. Unë, Ju faleminderoj të dy grupeve dhe besoj të mos iu zhgënjej!

Në këtë rast, nuk mund të mos i faleminderoj të gjithë Këshillat vendorë të Komunës së Gostivarit që më propozuan, Degën e BDI-së në Gostivar dhe Kryetarin e saj, z. Bashkim Hasani, Shefin e Shtabit Komunal të Gostivarit, dr. Nexhati Jakupin, të gjitha strukturat partiake që më përkrahën si dhe Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim z. Ali Ahmeti!
Ju më përkrahët dhe unë shpresoj se do ta arsyetoj përkrahjen Tuaj!
Dhe në fund, dua ta mbyll me thënien time të preferuar nga Rilindasi ynë- Naim Frashëri: “Punë-punë natë e ditë, që të shohim pakëz dritë”.

Baby Boo