ARSIMTARI “NOMAD” I TANUSHËS PA VENDIM PUNE, BËN DHJETËRA KILOMETRA NË KËMBË PËR TË ARRITUR NË SHKOLLË


Mësuesi Skender Abazi, për çdo ditë pune udhëtonte në këmbë deri në fshatin Tanushë. Ai, merrte bukën me vete dhe ecte mbi 10 kilometra për të arritur në shkollën periferike të fshatit. Nxënësve, tw cilwt mund t’i numërosh në gishta, Skenderi u ligjëron të gjitha lëndët profesionale. Prej 14 vjetësh ai ka bërë këtë shtegtim duke iu kanosur rreziqeve të malit, madje shprehet se ende nuk ka as vendim pune, me ç’ rast është në pritje të përgjigjes nga drejtoria e shkollës qendrore të fshatit Brezë.

“Në muajin maj kam bërë sërish kërkesë te drejtoria e shkollës, por nga atje nuk kam përgjigje. Sipas Ligjit për arsim, pas dy vjetësh punë të rregullt më takon vendimi, por në vitin 2011 më patën thënë se një nen i shtuar në Ligj i pamundëson atij marrjen e vendimit meqë ka më pak se 24 nxënës. Por, tani shpresoj se Ministria e Arsimit do të rregulloj statusin tim të punës.”deklaroi arsimtari, Skender Abazi.

Nga Ministria e arsimit thonë se ende nuk kanë marr asnjë kërkesë formale për këtë çështje. Në pranverë, Arbër Ademi, atëherë në cilësinë e zëvendësministrit të arsimit pati takuar mësuesin, duke i premtuar se do të angazhohet në këtë drejtim. Kurse, tani ministri Ademi thotë se për zgjidhjen e statusit të tij, duhet të vij një kërkesë nga drejtoria e shkollës së Brezës dhe Komuna e Çuçer Sandevës.

“Rastësisht sot në mëngjes jemi dëgjuar me mësuesin Skender Abazi. I kemi uruar njëri tjetrit festën e Bajramit dhe kemi folur për zgjidhjen e statusit të tij. Janë disa hapa e procedura, të cilat duhet të ndërmerren edhe nga shkolla ku ai punon, por edhe nga komuna, në kuadër të së cilës graviton shkolla e tij, që të vij një kërkesë e tillë deri te institucioni ynë, te Ministria e arsimit dhe shkencës në mënyrë që ne të veprojmë.” deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.

Tani në prag të vitit të ri shkollorë, këtë mësues do ta ndjek fati i njëjtë, meqenëse akoma nuk janë proceduar dokumentet e nevojshme. TV21 nuk arriti të vij në kontakt me drejtorin e shkollës Musa Jakupi, për të kuptuar se pse po vonohet kjo çështje. Kurse në komunikimin me Komunën e Çuçer Sandevës, TV21 mëson se kjo komunë nuk ka buxhet të paraparë për rregullimin e rrugës së fshatit Tanushë. Ndërkohë, Skenderi nga fshati Çerkez i Kumanovës, më shumë i druan dimrit kur rrugët janë të bllokuara nga bora dhe nuk kalojnë as veturat. Ai thotë se ndonjëherë ka vazhduar rrugën përtej kufirit të Kosovës që të kthehet mbrapsht në Tanushë për të mos lënë në pritje nxënësit e paktë që kanë mbetur në këtë fshat të Malësisë së Karadakut.

Përgatiti: Adnan Qaili

Baby Boo