“Armiq të askujt”, mediet në aksion kundër Trumpit


Më shumë se 300 organizata mediatike në Shtetet e Bashkuara do të nisin një fushatë për të kundërshtuar sulmet e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe për të promovuar shtypin e lirë.

“The Boston Globe” bëri thirrje javën e kaluar për një reagim të gjerë në shkallë kombëtare, ndaj “luftës së ndyrë” të presidentit kundër medieve, duke e titulluar atë #EnemyOfNone (Armiq të askujt).
Trump i ka etiketuar raportimet e medieve si “lajme të rreme” dhe i ka cilësuar gazetarët si “armiq të popullit”.
Ekspertët e Kombeve të Bashkuara kanë thënë se, këto deklarata nxisin rrezikun e përdorimit të dhunës kundër gazetarëve.

“The Boston Globe” kishte premtuar se do të shkruante një editorial mbi rreziqet e sulmit të administratës mbi shtypin, më 16 gusht, e u kërkoi edhe medieve të tjera të bënin të njëjtën gjë.

Reagimi pozitiv fillestar nga 100 organizata mediatike u rrit, duke iu bashkuar nismës 350 gazeta të mëdha kombëtare apo gazeta lokale, e mes tyre edhe të përditshme të rëndësishme ndërkombëtare, si “The Guardian”.

Fushata e së enjtes vjen pas një serie incidentesh dhe komenteve të Trumpit që kanë shtuar presionin mbi medien.
Ndërsa vajza e Trumpit, Ivanka e ka distancuar veten nga sulmet e babait të saj mbi medien, Sekretarja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders refuzoi të thoshte se media nuk është “armiku i popullit”. Në një tubim në Florida, në korrik, CNN filmoi mbështetësit e Trumpit që fyenin dhe shanin gazetarët që mbulonin ngjarjen.