Arben Taravari sërish kandidon për të parin e Gostivarit


Kryetari aktual i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari sërish ka shpallur kandidaturën për të parin e kësaj komune nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.
“Ekipi dhe unë kemi vendosur që të shpall zyrtarisht kandidaturën për kryetar të Komunës së Gostivarit. Ne jemi në mbyllje të mandatit të parë. Thonë që ndonjëherë nuk e kupton vlerën e momentit derisa ai çast të kthehet në kujtim. Kështu momentet, orët e ditët plot punë, edhe pak dhe do të lexohen si 4 vjet në kalendar”, shkroi në “Facebook” Taravari.

Ka treguar edhe arsyen që e kanë dërguar në shpalljen e kandidaturës.
“Arsyeja kryesore që më çoi në shpalljen e kandidaturës janë ata, gostivarasit e ndershëm e të qetë, të munduar dhe të duruar, të heshtur e punëtorë, trima e të mençur. Është qyteti që më ka futur në zemër i ndjeri baba im që fiks para 3 muajsh është larguar nga jeta. Janë duart me kallo të gostivarasit punëtor që edhe pse me 1000 halle ka sakrifikuar veten për t’i shkolluar fëmijët e vet. Janë sytë e nënave gostivarase që kanë ditur të qeshin edhe në pikë të varfërisë dhe ta kenë derën hapur për miqtë! Janë shtëpitë gostivarase që brenda mbajnë histori plot me halle, varfëri e padrejtësi, por vazhdojnë të mbijetojnë sepse kanë një gjë që askush nuk e mund dot, fisnikërinë gostivarase. Janë të shtrenjtët motra e vëllezër që sa herë largohen për në mërgim bëjnë një funeral të vendlindjes dhe dashuria për Gostivarin sa më larg shkojnë aq më shumë ju rritet!”, shkroi më tej ai, transmeton TV21.

Ndërkohë, ka shprehur besimin se ka mbështetjen e të gjithë komuniteteve dhe partive politike që veprojnë në Gostivar
“Unë kam besim absolut që bashkë me ju, shqiptarë e maqedonas, turq, egjiptianë, romë apo torbesh, të ASH-së apo të VMRO-së, të Besës, Alternativës, BDI-së, LSDM-së apo Levicës, muslimanë apo krishterë por TË GJITHË GOSTIVARAS, mund të ndërtojmë qytetin tonë e të bëjmë ashtu si e meriton çdonjeri nga ne!Ndaj dhe zyrtarisht dhe krenarisht ju ftoj të gjithëve të mblidhemi rreth slloganit VOTO GOSTIVARIN!Kjo thirrje shkon tek çdo gostivaras që e ka qytetin në zemër! Le t’i tregojmë gjithë Maqedonisë se ne jemi shembulli i dedikimit ndaj një qyteti, se mbi të gjitha ne VOTOJMË GOSTIVARIN!”, ka përfunduar Taravari.

Baby Boo