Apeli i Shoqatës Humanitare “Cërvica” për një ambient të pastër, është legjitim dhe unë i bashkohem fuqishëm apelit të bashkëvendasve të mi


Cërvicasit gjithmonë janë shquar për burrëri, bujari dhe humanizmin. Ndonëse shumica e bashkëvendasve të mi, qysh në kohë të hershme, për shkak të kushteve të vështira jetësore, kanë qenë të detyruar të marrin rrugën e kurbetit, ata kurrë nuk kanë rreshtur të mendojnë dhe punojnë për vendin e tyre të lindjes. Këta burra e gra të fisit, me banim në Zvicër, kanë themeluar edhe Shoqatën humanitare “Cërvica”, duke financuar kanalizimin e fshatit, ujësjellsin, ndërtimin e rrugëve, mbështetjen e njerëzve në nevojë dhe skamnorëve. Dua të them, se ata nuk kanë kursyer asgjë, që vendlindja e tyre të jetë sa më e mirë.

Vlerat e fshatit të Cërvicës, por edhe të Kërçovës i kanë promovuar parreshtur përmes manifestimit të përvitshëm “Cërvica na Bashkon”. Megjithatë Cërvica ime dhe e këtyre njerëzve fisnikë ka pësuar edhe tmerre të papara nga pushtues të ndryshëm, sidomos nga Mbretëria Serbe, Kroate dhe Sllovene, ende ngulçojnë shpirtërat e shumë cërvicasve të ekzekutuar dhe që në histori njihet si Masakra e Dëllinjave diku mes Cërvicës dhe Osllomesë.

Gjatë kohës së komunizmit u përballëm me represion të paparë shtetëror dhe katastrofa të papara ekologjike. Sot pata një bisedë të hapur telefonike me kryetarin aktual, z. Bukurim Xhaferi, i cili rrjedh nga një familje me emër dhe ai, ndonëse i ri në moshë, së bashku me bashkëpunëtorët e tij të afërt në Zvicës ndjek amanetin e të parëve për një vendlindje më të mirë, duke ruajtuar vlerat kombëtare dhe shoqërore të fshatit tonë piktoresk. Këta ditë, ata janë senzibilizuar rreth një çështjeje, e cila nuk u përket vetëm banorëve të Cërvicës, por të mbarë fshatrave të ish-komunës së Osllomesë. Me këtë rast unë senzibilizohem plotësisht me ta dhe jam krah tyre në çdo nismë që ka të bëjë për të mirën tonë të përgjithshme. Ja qëndrimi im, të cilin e postova edhe në faqen e tyre zyrtare në Facebook:
Më bëhet zemra mal që të gjithë jeni senzibilizuar ndaj kësaj gjëme të madhe, e cila po na e prish rehatinë fizike dhe mendore dhe na dëmton në pronë dhe, mbi të gjitha, në shëndet. Nuk është e largët koha kur për të shkuar në spitalin apo zyrën e vendit në Osllome, ose te ndonjë i afërm në fshatrat mbi ne, na u desh të kalonim mbi deponinë e grumbulluar për dekada me radhë në pragun e derës tonë. Atëherë ishte komunizëm dhe ishim të pafuqishëm për të bërë diçka në këtë drejtim, por tani, në një sistem tjetër politik dhe me përfaqësim tonin në politikëbërjen e gjithmbarshme të shtetit dhe me udhëheqjen tonë historike të qytetit të Kërçovës, nuk duhet të lejohet as tymnaja dhe as deponia vdekjeprurëse. Tymi kancerogjen mua, le që m’i ka coptuar çeramidat e shtëpisë, e cila rrjedh në çdo cep, por m’i ka dëmtuar edhe mushkëritë, gjë që ma kanë konstatuar mjekët. Kjo nuk dëshiroj që t’i ndodhë askujt, sidomos fëmijëve të familjes time dhe mbarë banorëve të fshatit Cërvicë. Unë personalisht e kam ngritur zërin qe 20 vjet, megjithatë fatkeqësisht shumica nuk më kuptonin dhe, si rrjedhojë, përjetova një izolim hermetik nga shumica e vendasve të mi, duke më ngjitur lloj-lloj nofkash të paqena. E gjitha kjo nuk ka rëndësi, më e keqja është se ne kemi filluar t’i paguajmë pasojat, për të cilat unë qysh herët e ngreja alarmin. Sidoqoftë, me aktet e këtilla që ju po i ndërmerrni, dëshmoni se jeni në anën e së drejtës, atdheut dhe vatanit tuaj. As unë, por as ju, që të mos keqkuptohemi, nuk jemi kundër askujt. Përkundrazi senzibilizimi ynë shkon edhe në ndihmesë të politikës lokale dhe qendrore, që bashkërisht të dëshmojmë se e duam vendin tonë, rininë dhe jetën.
Qofshi të bekuar përgjithmonë dhe për shumë jetë Bajramin e Madh!

Me respekt, Arbër Çeliku

P.S. Bukurimi m’i dërgoi edhe disa foto, të cilat do të na ndihmojnë në kuptimin më të mirë të situatës së krijuar. Fotoja 4 eshte bere në vitin 2014, ku shihet qartë se ka dominuar natyra e ambientit të pastër, kurse fotoja 5 në vitin 2018, me ç’rast për 4 vjet është dëmtuar rëndë ambienti në periferi të fshatit Cërvicë.

Baby Boo