Akuza për shpërfillje të foshnjës rome nga mjeku në qendrën shëndetësore në Graçanicë


Gjendja shëndetësore e foshnjës 11-muajshe nga Graçanica është përkeqësuar, për shkak të neglizhencës së pediatrit në qendrën shëndetësore lokale, thanë prindërit e saj, Fadil dhe Merita Zeqiri.

Ata janë pjesëtarë të komunitetit rom, i cili përbën rreth 10 për qind të popullsisë në Graçanicë – një komunë kjo me shumicë serbe në Kosovën qendrore.

Më 18 janar, Merita dhe Fadil Zeqiri shprehën publikisht pakënaqësinë e tyre për, siç thanë, pritjen jo të mirë të djalit të tyre nga pediatri Ivan Llukiq.

Ata thanë se fëmija i tyre ka pasur një skuqje të lehtë në trup, tre muaj më parë, kur edhe kërkuan ndihmën e mjekut Llukiq, dhe se ai ia ka përshkruar terapinë, e cila, sipas tyre, e ka përkeqësuar në mënyrë drastike gjendjen shëndetësore të foshnjës – atëbotë 8-muajshe.

Në fotografitë e shfaqura publikisht shihen skuqje dhe plagë në të gjithë trupin e fëmijës.

Kur kanë shkuar sërish te pediatri Llukiq, ai dyshohet se i ka nxjerrë nga zyra.

Prindërit thanë se “nuk e dinë përse mjeku ka vepruar kështu” dhe se kërkojnë drejtësi për “çdo lot të derdhur nga djali i tyre”.

“Ai ka thënë: ‘Nuk dua ta ekzaminoj fëmijën’. Burri i ka thënë: ‘Të raportoj’. Ai më pas: ‘Shkoni lirisht’”, rrëfeu Merita Zeqiri, duke shtuar se fëmija i saj ka humbur gjashtë kilogramë për tre muaj.

Qendra shëndetësore në Graçanicë funksionon nën sistemin e Serbisë, ashtu si edhe institucionet tjera shëndetësore në mjediset me shumicë serbe në Kosovë.

Prindërit besojnë se bëhet fjalë për diskriminim

Fadil Zeqiri tha se disa herë i është drejtuar udhëheqjes së shtëpisë së shëndetit në Graçanicë, porse nuk ka marrë asnjë përgjigje, kështu që në fund ka iniciuar procedurë gjyqësore kundër mjekut Llukiq.

Ai tha se në librezën shëndetësore të fëmijës, Llukiq ka shkruar se prindërit e tij e kanë refuzuar mjekimin, ndonëse, sipas Zeqirit, ai i ka dëbuar nga zyra.

Baby Boo