Akti makabër i babait në Kamenicë: Pasi mbyti djalin 14 vjeç, rrahu keq edhe vajzën


Në orët e para të ditës së enjte, në fshatin Karaçevë e Poshtme, në Kamenicë, një 14-vjeçar vdiq pasi u rrah shumë nga babai i tij, e krejt kjo për shkak se ai ia kishte marrë 1 mijë euro dhe i kishte harxhuar ato. Mirëpo, akti makabër i G.B,, nuk u bë kaq thjesht. Ai e ka fshehur djalin e lënduar rëndë për 4 orë në një dhomë të shtëpisë dhe ka gënjyer në polici se djali është vetaksidentuar me motoçikletë dhe si pasojë e lëndimeve ka vdekur, po krejt kjo nuk doli kështu dhe shpejt u mor vesh se G.B, rrahu djalin për vdekje. Gazeta Express nga burimet merr vesh se pas mbytjes se djalit, ai rrahu rëndë edhe vajzën 17-vjeçare

Me datë 24 maj 2018, në orën 00:40, në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kamenicë, është dërguar nga familjarët pa shenja jete 14-vjeçari L.B., i lindur më 2004. Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, por Express ka marrë vesh nga burimet e saj disa informata shtesë rreth kësaj ngjarjeje.

Djali 14 vjeç, L.B, pasi u rrah rëndë nga babai, atë e mbyllën në një dhomë të shtëpisë, ku qëndroi për 4 orë. Më pas, në mesnatë ai ndërroi jetë.

“Pas hetimeve të para në vendin e ngjarjes nga njësitet e hetimeve rajonale të Policisë së Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit dyshohet se si pasojë e dhunës fizike – rrahjes të ushtruar nga i dyshuari – prindi i viktimës G. B. Shqiptar shtetas i Kosovës, lindur me 1958, si pasoj e goditjeve me mjete të forta besohet shkop druri, fëmija ka ndërruar jetë”, ka thënë Policia.

Sipas familjarëve, viktima kishte pësuar vetaksident me motoçikletë në fshatin Karaçevë dhe kishte marrë lëndime të rënda trupore dhe për shkak të lëndimeve ai kishte vdekur.

Por, ngjarja nuk është pikërisht si u raportua.

Policia thotë se pas hetimeve të para, rasti nuk është aksident trafiku, por dyshohet se viktima ishte rrahur nga babai i tij, dhe për shkak të lëndimeve ka ndërruar jetë.

Bëhet e ditur se babai, G. B., ka goditur për vdekje djalin e tij L.B., me shkop të drurit dhe një shkop plastikë. Në vend të ngjarjes janë gjetur njolla gjaku dhe një telefon celular i viktimës.

“Sipas hetimeve të para dyshohet se motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë janë për shkak se i ndjeri kishte marrë të hollat dhe i kishte harxhuar pa dijeninë e prindit të tij”, thotë Policia. E kjo shumë parash Express merr vesh se ishte rreth 1 mijë euro.

“Dyshohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, të datës 23 maj 2018, në njërën nga dhomat e shtëpisë së të dyshuarit në fjalë, i dyshuari e kishte mbajtur viktimën në dhomën e njëjtë deri rreth orës 24:00 dhe pasi që i ishte keqësuar gjendja shëndetësore, i dyshuari kishte vendosur ta dërgojë te mjeku me ndihmën e familjarëve të tij, mirëpo kur është dërguar në QKMF-Kamenicë rreth orës 00:40, ka qenë tepër vonë dhe mjeku kujdestar ka mundur të konstatojë se fëmija është pa shenja jete. Sipas hetimeve të para dyshohet se motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë janë për shkak se i ndjeri kishte marrë të hollat dhe i kishte harxhuar pa dijeninë e prindit të tij”, raporton Policia, shkruan Express.

Burimet e Express tregojnë se pas gjithë kësaj ngjarjeje, babai G.B., ka rrahur edhe vajzën e tij 17-vjeçare me gyp të plastikës.

Me vendim të prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës, L.B., është dërguar në Institutin Mjekoligjor në Prishtinë, ndërsa ndaj të dyshuarit caktohet masa e ndalimit prej 48 orësh, rasti është i klasifikuar si “Vrasje e rëndë”.

Rasti është duke u hetuar nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe Policisë së Kosovës. /GazetaExpress/

 

Baby Boo