AKTAKUZË KUNDËR MORENA TARAKUT


Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj Morena Tarakut më 9 nëntor 2017, me arsyetimin se e njëjta ka kryer veprën penale “pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Të mërkurën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, dega në Kaçanik, është mbajtur shqyrtimi fillestar ndaj Morena Tarakut, e akuzuar për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Sipas procesverbalit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Agim Kuka, e pandehura Taraku nuk e ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë.

Në këto rrethana, gjykatësi i rastit Shabi Idrizi e ka udhëzuar të akuzuarën Taraku dhe mbrojtësen e saj, avokaten Fehmije Gashi, se brenda 30 ditësh kanë të drejtë që t’i paraqesin në gjykatë kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.
Kurse, në procesverbal thuhet se për seancën e radhës palët do të ftohen përmes ftesës.

Ndryshe, gjykatësi Idrizi, për “Betimi për Drejtësi”, ka bërë të ditur se avokatja Gashi ka bërë kërkesë në gjykatë që në rast se do të vazhdohet me shqyrtim kryesor, i njëjti të mbahet me dyer të mbyllura për publikun.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj Morena Tarakut më 9 nëntor 2017, me arsyetimin se e njëjta ka kryer veprën penale “pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga neni 409, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, Taraku më 17 maj 2014, rreth orës 17:05, në Han të Elezit, përkatësisht në pikën kufitare në hyrje nga Republika e Maqedonisë, gjatë kontrollit nga zyrtarët policor, pasi fillimisht i kishte fyer rëndë, ka tentuar të pengojë zyrtaren policore-të dëmtuarën Fitore Mjaku në kryerjen e detyrës zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se e akuzuara nuk i është bindur urdhrit zyrtar, dhe ka rezistuar duke e shtyrë policen, duke e lënduar atë në gishtin e parë të dorës së djathtë, me ç’rast të dëmtuarës Mjaku i shkakton lëndim të lehtë trupor, i cili lëndim është i përshkruar në ekspertizën mjeko ligjore të 7 tetorit të vitit të kaluar.

Baby Boo