Afro 400 fëmijë e të rinj të infektuar në dy ditë


Në dy ditët e fundit në Kosovë, 27 për qind e të infektuarve me koronavirus kanë qenë fëmijë dhe të rinj të moshës 0-19 vjeç.

Nga shifra totale e të infektuarve më 17 dhe 18 janar – që ka qenë 1,448 – 65 kanë qenë fëmijë të moshës 0-9 vjeç, ndërsa 317 fëmijë dhe të rinj të moshës 10-19 vjeç.

Brikena Hoxha është nënë e dy fëmijëve që u infektuan rreth dy javë më parë.

Njëri 6 muajsh dhe tjetri 8 vjeç shfaqën fillimisht simptoma të lehta të sëmundjes: temperaturë dhe jorehati.

Brikena thotë se trajtimin për ta e kërkuan në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, pasi ordinancat private nuk i pranuan, me arsyetimin se “nuk kishin terminë të lirë”.

“Aty kanë qenë dy mjekë, të cilët e kanë kontrolluar djalin e madh dhe më kanë thënë se po dëgjojnë një zhurmë në mushkëri. Vetëm kaq, jo më shumë”.

“Pastaj, e kemi dërguar në një laborator privat dhe i kemi bërë rëntgen [incizim], ku ka rezultuar se djali i madh ka fituar broncho-pneumoni në mushkëri”, rrëfen Brikena.

Foshnja e saj e ka kaluar infektimin me simptoma të lehta, ndërsa 8-vjeçari është trajtuar me antibiotikë në shtëpi.

Brikena thotë se nuk ka ide se ku mund të jenë infektuar – ajo, babai i fëmijëve dhe dadoja që kujdeset për ta, kanë qenë negativë.

Fëmijët tani e kanë rimarrë veten, por Brikena kujton stresin e përjetuar:

“Frika që ka nxitur COVID-19 [sëmundja që e shkakton koronavirusi] ka bërë që tepër vështirë ta përballojmë situatën”.

“Nëse do të jetonim në një periudhë të zakonshme, për simptomat që i kanë shfaqur fëmijët fillimisht, ndoshta nuk do t’i dërgonim fare te mjeku. Por, fakti që e kemi ditur se është COVID-19…”, rrëfen Brikena.

Pamje nga Klinika Infektive në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.

Numri i rasteve të reja me koronavirus në Kosovë ka parë rritje në janar. Në krahasim me pjesën më të madhe të dhjetorit, kur numrat e të infektuarve kanë qenë njëshifrorë, këtë muaj ka pasur ditë me mbi 700 raste të reja të të infektuarve.

Sipas autoriteteve shëndetësore, varianti Omicron i koronavirusit duket se ka marrë hov.

Ky variant është identifikuar për herë të parë në Afrikë të Jugut, në muajin nëntor, dhe që atëherë është përhapur në qindra vende të botës, duke u bërë dominues në disa.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur atë variant shqetësues, duke konstatuar se përhapet më shpejt.

Varianti Omicron i koronavirusit në pamje mikroskopike.

Që nga shpërthimi i pandemisë, në mars të vitit 2020, fëmijët kanë pasur shumë më pak gjasa se të rriturit që të sëmuren rëndë nga koronavirusi.

Por, në SHBA dhe Mbretëri të Bashkuar, autoritetet shëndetësore thonë se varianti Omicron ka shkaktuar shifra rekorde të fëmijëve të hospitalizuar.

Sipas mjekëve, këtë gjendje e ka shkaktuar përhapja e shpejtë dhe jo ashpërsimi i infeksionit.

Katër fëmijë të shtrirë në spital
Në Kosovë, autoritetet shëndetësore thonë se, brenda një dite, deri në 15 fëmijë të prekur me koronavrius kërkojnë mjekim në Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë.

Drejtoresha e kësaj klinike, Violeta Grajçevci, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjendja klinike e tyre është kryesisht e lehtë dhe se ata lirohen për trajtim në shtëpi.

Aktualisht, katër fëmijë me gjendje më të rëndë të sëmundjes janë të shtrirë në spital.

Ata u takojnë moshave nga 1 deri në 12 vjeç.

Baby Boo