A stresohen fëmijët?


Të rriturit priren ta shohin botën e fëmijëve po aq sa të lumtur edhe të shkujdesur. Fundja, ata nuk kanë një punë për të ruajtur apo fatura për të paguar, pra, çfarë mund të kenë ata për t’u shqetësuar?

Shumë! Edhe fëmijët e vegjël kanë shqetësime dhe ndihen të stresuar në një farë mase.

Burimi i stresit

Stresi është sasia e kërkesave që vendosen tek individi dhe paaftësia e tij për t’i përmbushur ato. Këto kërkesa vijnë nga burime të jashtme si, familja, puna, shoqëria ose shkolla. Por, ato mund të vijnë edhe nga brenda, mendimet që ne kemi për atë çfarë duhet të bëjmë përkundrejt asaj se çfarë jemi ne në gjendje të bëjmë.

Pra, stresi mund të prekë këdo që është i ngarkuar, madje edhe fëmijët. Tek parashkollorët, ndarja nga prindërit mund të shkaktojë ankth. Ndërkohë që fëmijët rriten, presioni akademik dhe ai social krijojnë stres.

Shumë fëmijë janë tepër të zënë për të luajtur apo për tu relaksuar pas shkollës. Fëmijët që ankohen për aktivitetet e tyre dhe refuzojnë të marrin pjesë në to, mund të jenë të mbingarkuar. Flisni me fëmijën tuaj se si ata ndihen për këtë axhendë të mbingarkuar që kanë. Nëse ankohen, diskutoni sëbashku mbi reduktimin e ndonjë aktiviteti. Nëse reduktimi nuk është një opsion, ndihmojini ata të menaxhojnë më mirë kohën.

Stresi i fëmijës mund të shkaktohet edhe nga gjëra që nuk kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me jetën e tyre. Ju ka dëgjuar ndonjëherë fëmija të flisni mbi problemet në punë, për një të afërm të sëmurë, apo duke diskutuar me nënën e tyre rreth problemeve financiare? Prindërit duhet të kenë kujdes kur të flasin disa gjëra në prezencë të fëmijëve sepse fëmijët mund të marrin nga ankthi i tyre dhe të fillojnë të ndihen të shqetësuar në vetvete.

Lajmet, po ashtu, mund të shkaktojnë stres. Fëmijët që shohin pamje të papërshtatshme në televizor ose që dëgjojnë mbi fatkeqësitë natyrore apo luftërat, mund të fillojnë të shqetësohen për sigurinë e vet dhe të njerëzve që duan.

Flisni me fëmijën tuaj mbi atë që ka parë e dëgjuar dhe monitoroni çfarë ata shohin në televizor, kështu ju mund t’i ndihmoni të kuptojnë më mirë çfarë po ndodh.

Duhet të kuptoni se disa gjëra që për prindërit nuk janë të rëndësishme, mund të shkaktojnë stres tek fëmija. Lërini fëmijës të kuptojë që ju e kuptoni se ata janë të stresuar dhe që nuk i shihni ndjenjat e tyre si të pavenda apo të papërshtatshme.

Shenjat dhe simptomat

Nuk është gjithmonë e lehtë të kuptoni kur fëmija juaj ndihet i stresuar. Disa nga simptomat treguese të stresit janë:

· Irritimi

· Gjendja depresive

· Sjelljet impulsive

· Frika, ankthi, shqetësimi

· Problemet me fjetjen

· Nervozizmi

· Dhimbjet e kokës dhe stomakut

· Problemet me përqendrimin

· Veçimi

· Problemet me të ngrënët

Reduktimi i stresit
Si mund t’i ndihmoni fëmijët të përballen me stresin?

Kushtojini kohë fëmijës çdo ditë edhe nëse ata duan të flasin ose thjesht të rrinë në të njëjtën dhomë me ju, jini i disponueshëm. Mos i impononi të flasin, edhe nëse e dini se për çfarë janë të shqetësuar. Ndonjëherë fëmijët ndihen mirë kur u kushtoni kohë qoftë edhe vetëm me aktivitete argëtuese.

Edhe kur fëmija vjen duke u rritur, të kaluarit kohë me prindin është e rëndësishme. Është shumë e vështirë për disa prindër që kur vijnë në shtëpi pas punës, të ulen në dysheme dhe të luajnë me fëmijët e tyre ose thjesht të flasin me to se si e kaluan ditën, sidomos në rastet kur edhe vetë ata kanë kaluar një ditë stresuese. Por, të shprehurit interes për fëmijën u lë atyre të kuptojnë se janë të rëndësishëm për ju.

Ndihmojeni fëmijën të përballet me stresin duke folur rreth asaj çka e ka shkaktuar atë. Së bashku, ju mund të gjeni më shumë zgjidhje për këtë.

Ju gjithashtu mund ta ndihmoni duke parashikuar disa situate të vështira dhe duke i përgatitur fëmijët për to. P.sh., kujtojeni herë pas here fëmijën tuaj se po afrohet dita e vizitës tek doktori dhe flisni së bashku për atë çka do të ndodhë atje. Përshtatini informacionet sipas moshës së fëmijës. Fëmijët e vegjël nuk kanë nevojë për shumë përgatitje apo detaje siç mund të kenë fëmijët më të rritur.

Kujtoni se pak prezencë stresi është normale; bëjini të ditur fëmijës se është në rregull nëse ndihet i inatosur, i frikësuar, i vetmuar, apo në ankthi dhe se të gjithë njerëzit e tjerë i përjetojnë këto ndjenja. Qetësia dhe siguria është e rëndësishme, kujtojini atyre se ju besoni tek aftësitë e tyre për tu përballur me situatën.

Kur fëmijët nuk munden apo nuk duan të flasin për situatat e tyre stresuese diskutoni mbi situatat tuaja. Kjo tregon që ju jeni i gatshëm për të trajtuar tema të tilla dhe jeni të disponueshëm të flisni me to kur ata të jenë gati. Nëse fëmijët shprehin simptoma që ju shqetësojnë dhe nuk janë të gatshëm të flasin, konsultohuni me një profesionist të shëndetit mendor. Prindërit kanë aftësi t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të përballojnë stresin. Koha për tu drejtuar tek një profesionist mendor është kur ndryshimet në sjellje janë të vazhdueshme, kur stresi po shkakton ankth të tepërt, ose kur sjellja po shkakton problem serioze në funksionimin e fëmijës në shkollë apo në shtëpi.

Përgatiti: Suada Hajredinaj

Baby Boo