A po realizohet plani i ish-Kryeministrit të vrarë serb për ndarjen e Kosovës

Ish-kryeministri i Serbisë, Zoran Gjingjiq, dhe një ndër krerët e Partisë Demokratike moderne të Serbisë, kishte një plan për Kosovën.

Sigma Doors

Plani i Gjingjiqit, që u vra në vitin 2003, parashihte disa pika për Kosovën.

KosovaPress sjell dokumentet dhe përmbajtjen e këtij plani, që titullohet: “Strategjia për Kosovën dhe Metohinë (KiM)”.

Aty përshkruhet raporti me Kosovës dhe Serbisë në disa faza, si dhe procese.
Lexojeni të plotë planin e Zoran Gjingjiqit të dhjetorit të vitit 2002 për Kosovën.

Idenë për ndryshim e korrigjim kufijsh e ka nisur Presidenti Thaçi menjëherë pasi kishte dështuar të shfuqizonte Gjykatën Speciale. Në janar të këtij viti Zyra e Thaçit e kishte lënë të hapur idenë e bisedimeve me Serbinë, duke përfshirë edhe temën e kufijve.

Deri tash vetëm Gjermania e Britania kanë dalë krejtësisht kundër, ndërsa, vendet tjera kanë lënë të hapur mundësinë e çfarëdo marrëveshje me të cilën palët mund të pajtohen.

Në Kosovë ideja e Thaçit është kundërshtuar nga LDK, AAK e NISMA. Ndërsa, VV ende s’e ka një pozicionim të qartë.

Duke mos pasur mbështetje dhe fuqi politike, Thaçi nëpër konferenca për media, ka nisur të lëshojë akuza në drejtim të mediave, duke thënë se një pjesë e tyre po flasin me gjuhën e Vucicit.

Mirëpo, pa kaluar as 24 orë, Shefi i Shtetit ishte detyruar të kërkonte falje për një akuzë të tillë, marrë parasysh se idetë për ndryshim kufijsh prej vitesh promovohen nga Aleksander Vucic e Ivica Dacic, dy njerëzit kryesorë të Sllobodan Milloshevicit gjatë kohës së luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999.

Plani i plotë

Procesi i tanishëm dhe epilogu i besueshëm

Procesi i tanishëm në Kosovë e Metohi (në tekstin e mëposhtëm sipas origjinalit “KiM”) parimisht është përcaktuar me Rezolutën 1244 dhe me Kornizën kushtetuese, përderisa çështjet konkrete (për shembull statusi ndërkombëtarë i KiM në situatat dhe trupat e ndryshëm) vendosen nga rasti në rast, por në pajtim me frymën e këtyre dokumenteve. Frymë e këtyre dokumenteve është e bazuar në mohimin e çfarëdo lidhjeje të Serbisë dhe KiM, ky fakt kuptohet nga menaxhimi ditor i strukturave ndërkombëtare në KiM.

Përderisa Rezoluta 1244 lejon mundësinë e kompromisit shtetëror (duke folur për AUTONOMINË), Korniza kushtetuese shlyen çfarëdo lidhjeje me Serbinë dhe Jugosllavinë.

Bashkësia ndërkombëtare në vitin 1999 i mori të gjitha kompetencat në KiM, me arsyetimin zyrtarë se do ti ushtroj këto kompetenca derisa të gjendet zgjidhja me kompromis, zgjidhja përfundimtare. Megjithatë, procesi i vërtetë (real) zhvillohet ashtu që këto kompetenca gradualisht barten në strukturat e KiM, dhe atë me shpejtësinë me të cilën këto struktura mund ti përballojnë ato. Kur ky proces i bartjes së kompetencave të përfundoj, nuk do të mbetet asnjë kompetencë për të cilën do të mund të bisedohej me Beogradin, nëse fare do të arrihet që të fillohen këto bisedime. Në ndërkohë serbët po inkuadrohen në institucionet e KiM, duke bërë që ky koncept i tërësishëm të krijoj iluzionin e legjitimitetit politik.

Çka duhet të ndërmarr Serbia?
Është e qartë se pritja është opsioni më i keç. Edhe nëse për disa vite gjendja në KiM do të përmirësohet (“standardet para statusit”), kjo do të merret si dëshmi se institucionet e pavarura të KiM po funksionojnë. Nëse situata mbetet e njëjtë, kjo do të ndikojë që të vazhdojë më tutje shpërngulja e serbëve. Në të dy rastet gjasat për shtetin e pavarur në gjithë territorin e KiM rriten. Për këtë arsye Serbia duhet të lëvizë iniciativën politike.

Baza e kësaj iniciative duhet të jetë kërkesa që pikërisht në këtë fazë të përcaktohen qartë të drejtat dhe interesat e Serbisë në KiM, si dhe të përcaktohen mekanizmat e mbrojtjes së të drejtave të bashkësisë serbe në KiM.

Kjo iniciativë e vendosur, së pari do të befasojë dhe hidhërojë bashkësinë ndërkombëtare, por do ta detyrojë atë të ketë politikë konsistente ndaj Serbisë dhe KiM.
Hapi i parë në këtë taktikë është imponimi i temës. Shteti i pavarur i KiM më së lehti do të krijohet në errësirë dhe në heshtje. Posa të ndizet drita dhe posa të fillojnë diskutimet e hapura, gjasat tona rriten.

Kërkesa e parë konkrete në të cilën duhet të insistojmë është kthimi i kontingjentit të ushtrisë dhe policisë, e cila është paraparë me Rezolutën 1244. Duhet të kërkojmë datën e saktë të kthimit. Pak ka gjasa që kjo kërkesë do të realizohet, por me insistimin në këtë kërkesë krijojmë hapësirë për kërkesa tjera.

Kur bashkësia ndërkombëtare të kthjellet nga aktivizmi ynë, të gjithë do ta kuptojnë se Rezoluta 1244 nuk po zbatohet edhe atë vetëm në ato pjesë të cilat mbrojë interesat e Serbisë dhe serbëve, ndërsa korniza kushtetuese është e bazuar vetëm në elemente të cilat mbrojnë shqiptarët, dhe kjo po zbatohet.

Pra, kërkesa tjetër e logjikshme është: ndryshimi, ose së paku korrigjimi i kornizës kushtetuese.

Kjo mund të kërkohet në kohën kur edhe ashtu skadon afati i paraparë vlefshmërisë së Kornizës kushtetuese. Për shkak se Rezoluta 1244 nuk po zbatohet, për shkak se me zbatimin e kornizës kushtetuese gjendja nuk po përmirësohet mjaftueshëm (janë kthyer vetëm 2% e të ndjekurve), kemi të drejtë të kërkojmë disa mekanizma të rinj të normalizimit të gjendjes.

Koncepti ynë

Ajo që ne kërkojmë në Kornizën e re kushtetuese është:
Kushtetutshmëri (në origjinal: “konstitutivnost”, dimensionin kushtetues, vërejtje e përkthyesit) e bashkësisë serbe në KiM.

Kjo kushtetutshmëri do të shfaqe në trajtën e federalizimit të KiM, pranimin e entitetit serb si faktor politik, i cili i ka institucionet e tij përmes së cilave Bashkësia i realizon të drejta e saja. Sipas këtij koncepti, sistemi politik i KiM do të bazohej në bashkëpunimin e entitetit shqiptar dhe atij serb, me ç’rast secili entitet do të realizonte të drejtat e veta përmes institucioneve të veta, kompatibile në mes tyre. Interesat e përbashkëta do të realizoheshin në organet e përbashkëta (ngjashëm me Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës/BIH/ ).

Në konceptin e ri duhet përfshirë edhe të drejtën e Serbisë për marrëdhënie të rregullta me entitetin serb, si dhe mekanizmat efikas të mbrojtjes së përmendoreve kulturore dhe fetare.

Po ashtu pjesa e legjislacionit me të cilin entiteti shqiptar realizon të drejtat autonome duhet të jetë në pajtim me standardet e BE.

Këtë KiM të federalizuar do ta pranonte Serbia, në një lloj lidhjeje asimetrike (më shumë se krahinë, më pak se republikë).
Pasojat e mundshme
Nëse bashkësia ndërkombëtare dhe shqiptarët do ta pranonin këtë propozim, për disa vite të ardhshme do të testohej aftësia e këtij koncepti. Esenca e kësaj do të ishte se gjatë kësaj periudhe Serbia dhe serbët do të kishin “aksionin e tyre të artë” në KiM, pa të cilin dhe kundër të cilit nuk do të mund të merrej asnjë vendim i rëndësishëm.
Megjithatë, para së gjithash shqiptarët, e pastaj edhe pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, do të ishte kundër konceptit tonë të propozuar.
Në këtë rast Serbia do të kërkonte ndërkombëtarizimin e çështjes. Nëse KiM lëviz drejt pavarësisë dhe nëse ne nuk mund ta ndalim atë, duhet të kërkojmë;

· Ndarjen territoriale
· Garancinë efikase ndërkombëtare për serbët që mbeten në pjesën shqiptare dhe
· Status të veçantë të objekteve fetare
Çka të veprohet në ndërkohë

Në ndërkohë, duhet të punohet në konceptin autonomisë lokale në KiM. Sepse ky koncept është pranuar nga bashkësia ndërkombëtare, duhet të shfrytëzohet për të krijuar rrjetin strukturave lokale serbe (këshillat lokalë, lidhjeve të bashkësive lokale, fshatrave, etj)

Deputetët serbë në institucionet e KiM duhet të fillojnë me kundërshtimin energjik duke përkrahur tezën se Korniza kushtetuese nuk ka sjellë rezultatet e premtuara, se Rezoluta 1244 nuk është zbatuar, dhe se kërkohen zgjidhje të reja, në drejtimin që u sqarua në konceptin tonë, atë të federalizmit të KiM.

Të gjithë zyrtarët tonë në kontaktet ndërkombëtare duhet t’i theksojnë këto çështje.
Duhet t’i përvetësojmë disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit dhe sa më shumë qeveri perëndimore.

Duhet të animohen mediumet perëndimore me ndikim (si: Der Spiegel në Gjermani, NYTimes dhe Washington Post në SHBA etj).

Konkluzioni
Momenti i fundit që të fillojmë aksionin vendimtar. Arsyeja kryesore është se si pushtet doemos duhet të përcaktojmë interesat shtetërore dhe të drejtat në KiM.

Ka edhe arsye tjera. Janë përfunduar negociatat për bashkësinë e Serbisë dhe Malit të Zi. Na pret puna në Kushtetutën e re të Serbisë. Në të cilën së paku parimisht duhet të dihet çka është sovraniteti i Serbisë. Përfundimisht së shpejti skadon afati i Kornizës kushtetuese të KiM, e cila gjithsesi do të rezultojë me ndonjë lloj deklarimi për pavarësi. Po ashtu na presin zgjedhjet republikane në Serbi, me ç’rast nuk guxojmë që të lejojmë që tema e KiM të bëhet pre e demagogëve dhe popullistëve.

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/a-po-realizohet-plani-i-ish-kryeministri-t-vrare-serb-per-ndarjen-e-kosoves-566398/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright