A jemi të gatshëm të bëhemi evropian?


Sociologu Pajaziti mendon se shqiptarët janë mjaft të kualifikuar për të kontribuar gjatë procesit të integrimit të vendit në BE, duke iu referuar edhe Entit shtetëror Statistikor për shumë shqiptarë të diplomuar. Rahimi ndërkohë mendon se hendikep për shtetin gjatë ballafaqimit me sistemin evropian do të jetë administrata joprofesionale (partiake), kuadrot jokompatibil me punën praktike, institucionet e degjeneruara, korrupsioni, drejtësia selektive…

Siç dihet, Maqedonia pas disa vitesh të krizës politike, me lidhjen e Marrëveshjes historike për emrin e shtetit me Greqinë, po hynë në një valë të re të procesit të integrimit në BE dhe anëtarësimit të plotë në NATO. Kjo u pa me vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për të çelë negociata për anëtarësim me Maqedoninë në qershor të vitit të ardhshëm, ndërkaq vendimi pozitiv pritet më 15 korrik në Samitin e NATO-s në Strasburg për marrje të ftesës për anëtarësim.

Në këtë mes, jo vetëm qeverisja si tërësi, përfshirë të gjitha nivelet e saj: parlamentar, qeveritar, e gjyqësor, por edhe shoqëria në veçanti ajo shqiptare, shtrohet pyetja sa jemi të gatshëm për të qenë evropian dhe a kemi resurse të mjaftueshëm për t’iu përgjigjur procesit të vështirë të integrimit të plotë deri në vitin 2025 apo më gjatë, në shumë lëmi specifike përveç asaj politike, ekonomike dhe gjyqësore. Ekspertë të fushës socio-politike dhe asaj të administratës publike ndajnë mendime të ndryshme për këto dy pyetje. Sociologu politik Ali Pajaziti mendon se shqiptarët kanë mjaftueshëm kapacitete profesionale dhe kompetencë për të qenë pjesë e këtij procesi të përgatitjes së vendit për në BE duke iu referuar të dhënave të Entit Shtetëror Statistikor, siç thotë Pajaziti, për një armatë të papunësh përfshirë ata me master dhe doktoraturë të kryer.

“Kujtoj se si shoqëri shqiptare e Maqedonisë, në përgjithësi kemi kapacitete për t’u bërë ‎pjesë e korit europian, kemi resurse profesionale dhe intelektuale që janë krijuar ‎në veçanti në 25 vitet e fundit nëpër institucionet arsimore, në ato ku ‎dalin të pajisur me shkathtësi kompatibile dhe me gjuhë të huaja, që për fat të keq – ‎kanë mbetur jashtë sistemit si pasojë e politizimit të çdo cepi të jetës publike dhe ‎partizimit të shtetit. Shifrat e Entit statistikor flasin për një armatë të papunësh me ‎diploma, në mesin e të cilëve edhe kuadro shkallë të masterit dhe doktoratura. ‎Normalisht se do bëhen edhe ritrajnimet e duhura, do të fitohet përvojë edhe nga ‎komunikimet paneuropiane, vlera shtojcë këto që do të gjenerojnë aftësi të reja”, thotë për gazetën KOHA profesori Ali Pajaziti. Problem do kemi, shton ai, me kuadrot e emëruara nga tajkunët politikë që do ta kenë ‎rëndë adaptimin me sisteme evaluative shumë më rigoroze dhe me baza ‎meritokratike.

“Pseudokuadrot do të jenë kategoria që do duhej të zbriste nga froni ‎dhe të zëvendësohej me profesionistë të mirëfilltë. Vetëm me gjuhë shqipe e ‎maqedonishte mund të kryhet punë vetëm deri në Strugë e Tabanocë. ‎Europianizimi kërkon vlera kadrovike, jo lista”, mendon Pajaziti. Ndryshe nga ai, sociologu Sunaj Raimi thotë se sa i përket kapaciteteve, Maqedonia do të këtë mjaft probleme ku njëra ndër to, thotë ai, janë dhe kuadrot jokompaktibile me punën praktike.

“Sa i përket kapaciteteve kadrovike me të cilat Maqedonia pretendon të inkuadrohet në sistemin ekonomiko-politik dhe socio-kulturor të BE-së, mendoj se ajo do të ballafaqohet me probleme mjaft delikate. Arsyeja qëndron në disa segmente dhe atë në ikjen e trurit, administratën joprofesionale (partiake), kuadrot jokompatibile me punën praktike, institucionet e degjeneruara, korrupsionin, drejtësinë selektive… Këto janë vetëm disa nga faktorët që mund ta inkibojnë integrimin e mirëfilltë të Republikën e Maqedonisë në BE”, thotë Raimi. Kjo që përmendëm mq lartë, thotë ai, vlen për të gjithë qytetarët në vend. “Sa i përket shqiptarëve si popullatë numerikisht e dyta në Maqedoni, vendi dhe roli i tyre deri më tani ka qenë i margjinalizuar, po jo pa fajin e tyre! Një pjesë të fajit e mbajnë vetë qytetarët, të cilët nuk kanë arritur të reformohen sa duhet konform kërkesave dhe standardeve të BE-së, ndërsa pjesën më të madhe të fajit e mbajnë partitë tona politike, të cilat shumë pak kanë punuar në ‘elektrizimin’ suksesiv të popullatës tonë me vlerat e BE-së. E nëse këto gabime nuk përmirësohen duke filluar nga tani, mendoj se procesi i familjarizimit me BE-në do të jetë me çalime dhe shumë vështirësi”, thotë për gazetën KOHA, profesori universitar Sunaj Raimi. Eksperti për administratën publike, Argëtim Salihu, thotë se tek procesi i integrimit nuk duhet të kemi ndasi etnike. Por ja që në vendin tonë, thotë ai, fatkeqësisht nuk mund ta mënjanojmë problematikën e ndasive etnike dhe fetare.

“Nëse i marrim për bazë raportet ndërkombëtare për fushën e administratës publike, aty vërejmë që punësimet bëhen në bazë të parimit spoills (politikë) dhe jo në bazë të parimit të meritokracisë. Fatkeqësisht, edhe pse një pjesë e administratës janë të përgatitur që t’ju paraprijnë procesit euro-integrues, shumica e mbetur sot të jenë të ‘vetpërjashtuar’ nga ky proces”, thotë Salihu. Ai mendon se shqiptarët në Maqedoni tani më kanë kuadro të përgatitura në shumë profile, por fatkeqësisht ato nuk i shfrytëzojmë. Siç thotë Salihu, shqiptarët ose nuk janë të punësuar fare në sektorin publik, ose janë të punësuar në sektorin privat.

“Kohëve të fundit e kemi evident edhe largimin e kuadrove të reja jashtë vendit, për shkak të kushteve më të mira që ju ofrohen në vendet e BE-së. Shqiptarët janë racë ariane dhe popull europian, pra kemi elemente të përbashkëta me popujt tjerë europian. Por, fatkeqësisht ne e kemi humbur shprehinë e punës dhe besimin”, thotë Salihu. Fatkeqësisht, shton ai, kemi mungesë të kulturës konstitucionaliste, nuk respektojmë institucione, hierarki dhe ligje. Shkaku i disa rrethanave të mëhershme, ne më tepër kemi dëshirë ‘sallamadi’ sistemin, sesa një sistem me rregulla strikte”, thotë Salihu. (koha.mk)

Baby Boo