A ishte gjithçka me plan? Rusisë i vjen përfitimi i parë financiar nga tërheqja e trupave


Pas njoftimit të një zyrtari rus se një pjesë e trupave ruse do të largohen nga zonat kufitare nga Ukraina, efekti i lajmit u paraqit menjëherë në tregjet ndërkombëtare. Televizioni BBC raporton se tregjet janë qetësuar pas lajmit për tërheqjen e një pjese të forcave ruse nga zona kufitare.

Nga ky njoftim duket se ka përfituar menjëherë edhe Rusia. Vlera e rublës ruse shënoi rritje në raport me dollarin amerikan dhe euron. “Mungesa e veprimit ushtarak në kufirin ukrainas dhe shenjat për gatishmëri për të biseduar duken të mjaftueshme për t’i qetësuar nervat e tregut”, tha Michael Leister, udhëheqës i strategjisë për shkallë të interesit në bankën gjermane, “Kommerzbank”. Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, Igor Konashenkov, ka thënë se disa njësi ushtarake do të largohen nga zona kufitare me Ukrainën pas “përfundimit të misionit të tyre”. Megjithatë, Konashenkov tha se disa ushtrime janë ende duke vazhduar. “Forcat e Armatosura Ruse janë duke vazhduar një varg ushtrimesh të gjera për ushtrime operacionale të trupave dhe forcave. Praktikisht, të gjitha distriktet dhe flotat ushtarake dhe parashutistët janë duke marrë pjesë”, tha zëdhënësi rus.

Pas tërheqjes së një pjesë së trupave rusë, pas Perëndimit i cili kërkoi prova nga Moska ka reaguar edhe Ukraina. Sipas ministrit të jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, Rusia duhet të tërheqë të gjitha forcat e saj të mbetura nga kufiri i përbashkët i vendeve. “Ne kemi një rregull: mos besoni atë që dëgjoni, besoni atë që shihni”, u tha ai gazetarëve pas lajmit se disa trupa ruse po ktheheshin në bazë. “Kur të shohim tërheqjen e trupave, atëherë ne do të besojmë se situata është qetësuar”. Ministri shtoi gjithashtu se rruga diplomatike që Ukraina po ndiqte me aleatët e saj do të parandalonte përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Baby Boo