A i pasivizon nxënësit shtyrja e mësimit?


Mësimdhënësit shprehen të ndarë nëse pushimi dimëror i zgjatur do të ndikoj negativisht tek nxënësit dhe nëse do të arrijnë të kompensojnë  të gjithë periudhën e humbur mësimore. Mësuesja, Hatixhe Topalli vlerëson se duke u bazuar në mungesat e shumta të nxënësve në fund të dhjetorit për shkak të simptomave të ftohjes shtyrja është e arsyeshme.

“Kur zgjatet pushimi nuk ndikon edhe mirë mirëpo për shkaqe shëndeti, si nga ana e fëmijëve dhe nga ana e mësimdhënësve unë mendoj dhe besoj se këto 8 ditë nuk do të ndikojnë negativisht. Ne si mësimdhënës do ta japim maksimumin dhe do të arrijmë që të plotësojmë ato orët të cilat janë të humbura. Pra, prej 180 ditë është planifikuar 172 ditë. 8 ditë nuk janë edhe shumë. Më mirë 8 ditë ta zgjasim nëse kjo ndikon pozitivisht në situatën që e kemi tash se sa të dalim krejt online”, tha Hatixhe Topalli, mësuese.

Ndërkohë, mësuesi Satki Ismaili tha se pushimi i zgjatur ishte befasi jo e këndshme. Ai shtoi se nuk duhet miratuar një vendim që u përshtatet vetëm institucioneve të larta shtetërore por duhet marrë parasysh edhe shëndeti mendor i fëmijëve.

“Është një vazhdimësi e pasojave të periudhës së kaluar, një ngecje, një vakum 10 ditor. Do të ketë pasoja në atë se ne duhet ta kemi parasysh edhe fazën e adaptimit. Ne do të vazhdojmë në shkollë më 1 shkurt mirëpo ajo faza e adaptimit edhe një javë do të zgjasë derisa nxënësit të akomodohen si duhet, të adaptohen, të hyn në ato udhëzimet që duhet t’i japim ne mësimdhënësit e kështu me radhë. Ne e dimë se e duam shëndetin por duhet të kemi kujdes se edhe shëndeti mendor është shumë me rëndësi”, u shpreh Satki Ismaili, mësues.

Për shkak të gjendjes së krijuar me Covid 19, gjysmëvjetori i dytë në shkollat fillore dhe të mesme të vendit është shtyrë për më 1 shkurt ndërkohë që parashihej të fillonte më 20 janar. Këtë e vendosi Qeveria me rekomandim të Shtabit të përgjithshëm të krizave.

Baby Boo