Përdhunimin e vajzës 11 vjeçare, Arbëreshë Ibrahimit: Normal që do të përdhunojnë, sepse?


Shkruan Arbëreshë Ibrahimit – doktorante e arkitekturës, në lidhje me përdhunimin e vajzës 11 vjeçare nga Kosova

Normal që do të përdhunojnë, sepse shtatë ditë festoni me tupanë e të shtëna kur djalin/nipin e bëni synet. Gëzim e postim i madh, është bërë burrë. Ndërsa shtatë ditë ju ‘pi e zeza tokë’ kur kuptoni që vajzave dhe mbesave tuaja u kanë ardhur menstruacionet, turp i madh, një mijë ligjërata u mbani si ta fshehin veten gjatë këtij procesi.

Normal që do të përdhunojnë, sepse që në klasë të parë i pyetni djemtë e nipat tuaj sa ‘të dashura kanë’, krenari e madhe për prindërit që kanë djem ‘të gjindshëm’, ndërsa djalin e ndershëm e quani ‘tutkun, debil, për gjynah…’. A vajzat e juaja po t’i ndërrojnë partnerët, janë laviret e familjes, ua marrin fytyrën. Rastësisht nëse vajzat nuk i pranojnë djemtë tuaj ose divorcohen nga ata,… po, po, pikërisht vajzat i kanë fajet, ato janë të pakënaqura, kërkojnë shumë. Mos dhashtë Zoti të rastisni në vajza me edukatë e ambicie për jetë, ato do të ngelin në derë dhe po të njëjtat në arritshin apo duan suksese, sigurt ‘ia ka dhënë ose duhet tua japë dikujt’.

Normal që do të përdhunojnë, sepse nëna e do nusen e bukur, shtatlartë, belhollë, me flokë të gjata dhe të urtë, që s’ia prish qejfin djalit, sepse djali juaj ka tokë, shtëpi katër kate, banesë e veturë. Fuqia fizike, mbështetja materiale nga prindërit dhe kokën sa më bosh që e kanë, aq më të madh e kanë vetëbesimin mbi sundimin e vajzave. Kë ta dëshirojë, kur të dojë, për sa kohë ta dojë mund ta ‘kape’ dhe ta ‘braktisë’, plus mund t’i kthehet sa herë që kokrra e qejfit t’i dojë. Po as që bëhet fjalë, të arsyeshme janë veprimet e djemve tuaj, ngase ata ua trashëgojnë racën. Për shkak të djemve tuaj, bien në grackë edhe vajzat, me apo pa vetëdëshirë. Pa dëshirë, si rasti i kësaj 11 vjeçareje dhe shumë të tjerave të cilave u shkatërrohet një jetë e tërë, dhe me vetëdeshirë si rasti i të gjitha vajzave që investojnë gjithçka në pamjen e jashtme. Pooo, po nëna duhet ta ketë ‘kukull’ nusen e djalit.

Do të vazhdojnë të përdhunojnë, sepse ua lejojmë, ndërsa përveç që duhet dënuar sorta e tillë e djemve, duhet t’ua shfarosim gjenet në shtatë breza.

Baby Boo