A do t’i futet Vlora Çitaku garës për kryetare të PDK’së?


Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka qenë në mesin e emrave më të përfolur për t’u vendosur në krye të PDK’së, subjekt politik ky që shpalli zgjedhjet e brendshme më 3 korrik, ndonëse nuk u bë publik asnjë kandidat.
Për Çitakun është përfolur në medie lidhur me kandidaturën e saj si kryetare e PDK’së, megjithatë deri më tani nuk ka pasur ndonjë konfirmim zyrtar. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, në emisionin ‘Pressing’ në T7 përgjatë mbrëmjes së hënës nuk e përjashtoi si mundësi kandidimin e saj në udhëheqësinë e PDK’së.

Çitaku, megjithatë, shkëndijoi idenë se mund t’i bashkëngjitet garës. Pas zyrtarizimit të zgjedhjeve të brendshme nga PDK’ja, përfaqësuesja diplomatike e Kosovës në SHBA ishte e para që përshëndeti vendimin e PDK’së, duke thënë se në demokraci roli i opozitës është vital.
“PDK ka bërë hapin e duhur sonte duke vendosur për të shkuar në zgjedhje për lidershipin e partisë. Lajm jashtëzakonisht i mirë. Në një demokraci të shëndoshë roli i opozitës është vital. Bravo”, deklaroi ndër të tjera ajo nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, teksa uroi ushtruesin e detyrës për guximin që udhëhoqi partinë në “rrethana krejt të jashtëzakonshme”.

Që është përfolur përbrenda PDK’së që t’i prijë Ish-Konsullja e Përgjithshme e Kosovës në Nju Jork këtij subjekti politik, është theksuar edhe nga kryesia. Anëtari i Kryesisë së PDK’së, Betim Gjoshi ka thënë se emri i ish-ambasadores kosovare në SHBA, Vlora Çitakut, është përfolur për kryetare të Partisë Demokratike.
“Është diskutuar, ndoshta jo zyrtarisht, nuk kemi pare ndonjë ambicie të tyre, por ka qenë e drejtë e tyre”, ka thënë ai, duke shtuar se për pozitën e kreut të PDK’së nuk është përjeshtuar as Gent Cakaj, ish-kryediplomat në Shqipëri.

Vlora Çitaku ka shërbyer për dy mandate si deputete e Kuvendit të Kosovës. Ajo poashtu barti pozitën e ministres për Integrime Evropiane nën Qeverinë Thaçi, nga 2011-2014, si dhe ishte ushtruese e detyrës së ministres e Punëve të Jashtme përgjatë viteve 2010-2011. Çitaku në mars të këtij viti dorëzoi edhe mandatin për ambasador në SHBA, pas akreditimit diplomatik 6-vjeçar për këtë pozitë.
PDK ka njoftuar se do e mbajë Konventën zgjedhore për zgjedhjen e kryetarit të ri të këtij fraksioni politik më 3 korrik të këtij viti, përpara se t’i futet garës për zgjedhjet lokale.

Baby Boo