A do të vendosen kufizime në pikat kufitare? Flet Filipçe


Nuk ka asnjë rast të ri me variantin Delta, ndërsa po priten rezultatet edhe për katër pacientë të tjerë nga Tetova për të cilët dyshohet se janë të infektuar me këtë mutacion. Rezultatet do të shpallen sapo të jenë të gatshme nga laboratori i ASHAM tha Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.

“Sot duhet të flas me profesorin Dimovski nga ASHAM të shoh nëse ka rezultate.
A nuk ka ndonjë rast të variantit indian?
Jo, deri tani jo.” – u shpreh Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Ndërkaq varianti Delta me shpejtësi të madhe po përhapet nëpër shumë shtete të Botës dhe Evropës, e së fundmi edhe në shtetet tona të rajonit. Në Greqi deri tani me këtë lloj të virusit korona janë infektuar 121 persona, e një prej tyre për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore është shtrirë në spital, në aparate respiratorë. Megjithatë ministri Venko Filipçe vazhdon ta vlerësoj situatën si të qetë dhe të panevojshme rivendosjen e masave restriktive nëpër pika kufitare.

“Tani për tani nuk ka paralajmërime se do të risjellim masa shtrënguese. Situata është e qetë. Ka nga disa raste, megjithatë nuk shohim rrezik të rritjes së numrit të pacientëve. Nuk na duhen restriksione në aspektin masa nëpër kufij që mund ta ulin rrezikun. E ndjekim situatën jo vetëm te ne por edhe te vendet e rajonit.” – tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Përndryshe në 24 orët e fundit janë regjistruar 13 raste të reja të Covid-19, shtatë nga rastet e reja janë nga Tetova, dhe gjashtë nga Shkupi. Asnjë pacient nuk ka ndërruar jetë, ndërsa një pacient nga Prilep është shëruar. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Covid në vend që nga fillimi i epidemisë është 155,783.

Baby Boo