A do të bjerë sërish zilja e shkollës?


Një grup i prindërve kërkojnë nga Ministria e Arsimit që t’u mundësojë që ata vetë të vendosin nëse duan që fëmijët e tyre të ndjekin mësimin online, të shkojnë në shkollë apo mësimin ta ndjekin në mënyrë të kombinuar që i bie që gjatë javës të mund të shkojnë në shkollë por edhe të kenë mundësinë disa mësime t’i ndjekin online.

“Në grupin tonë 70% e prindërve janë “për” vazhdim të mësimit me prezencë fizike të fëmijëve, kurse 30% janë “për” mësim online, për të cilin konsiderojnë se është më i sigurt. Por, të gjithë ne, prindërit, pavarësisht se sa të ndryshme janë mendimet tona, jemi në qëndrim se MASH duhet t’i marrë parasysh nevojat e të gjithëve dhe të sigurojë TË DREJTË ZGJEDHJEJE për prindërit dhe fëmijët lidhur me atë se si do ta vazhdojnë vitin shkollor 2020/2021”.

Nga ana tjetër, Joakim Nedellkovski nga SASHK-u, thotë se është turp që ministria nuk i ka kontaktuar për të përpiluar një koncept të ri për realizimin e procesit arsimor. Nedellkovski, thotë se është vështirë të ketë distancë mes fëmijëve gjatë pushimeve në shkollë. Ai propozon që nxënësit ta shfrytëzojnë pushimin mes orëve të ndarë në disa grupe.
“Është simptomatike mbajtja e maskave ​​pas mësimit 5-orësh, nuk dihet a do të mund ta durojnë këtë nxënësit. Është simptomatike edhe siguria për sa i përket testimit të nxënësve me një vërtetim, siguria e mësimdhënësve të punësuar që do të testohen ose jo, por megjithatë kjo nuk do të thotë asgjë. Sot mund të jemi negativ, kurse pas 24 orëve – pozitiv. Kjo mund të përhapet si një bombë atomike në të gjithë shkollën”, tha Joakim Nedellkovski – kryetar i SASHK-ut.

Zëvendës-ministrja e Arsimit, Elizabeta Naumovska, për TV21 tha se nxënësit do të kthehen në bankat shkollore në shtator, por me një protokoll të veçantë. Me maska ​​dhe dezinfektim të rregullt të duarve, kurse orët do të zgjasin nga 20 minuta. Nëse një klasë ka numër më të madh nxënësish, atëherë kjo klasë do të ndahet në dy grupe, ndërsa mësimin do ta mbajë i njëjti mësues. Nëse në një klasë ka fëmijë me sëmundje kronike, atëherë ata do t’i ndjekin mësimet online.
Po shqyrtohen mundësitë se si do të realizohet kjo. Javën e ardhshme, grupi i punës i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës do të ketë një takim me Komisionin për Sëmundje Ngjitëse për ta përcaktuar versionin përfundimtar të planeve dhe protokolleve – se si të zhvillohet mësimi në kushte pandemie.

Baby Boo