636 ditë pa luajtur, 8 operacione në këmbë dhe mesfushori i Spanjës Santi Cazorla i është rikthyer sërish pasionit të tij: futbollit. 33-vjeçari lë pas kapitullin e hidhur të rikuperimeve që nga dëmtimi në ndeshjen me bullgarët e Ludogorets në vitin 2016 dhe vesh fanellën e skuadrës së tij të fëmijërisë Villarealit.
Ish-mesfushori i Arsenalit është prezantuar dje në mënyrën më të pazakontë. Në stadiumin e “Nëndetëses së Verdhë” “Estadio de Ceramica” Cazorla u paraqit para publikut me “truk magjik”.
I vendosur brenda një cilindri të mbuluar me xham, prestigjatori “nxori nga tymi” “dhuratën” për tifozët e Villarealit, të cilët janë ndier dyfish të entuziazmuar nga rikthimi i idhullit të tyre si dhe nga performanca.
Mjekët nuk i dhanë shpresë Cazorlës se do të luante sërish futboll, por spanjolli u provoi të gjithëve të kundërtën. Ai është i gatshëm të kontribuojë në rikthimin e Villarealit në elitën spanjolle të futbollit.