Babai i 26-vjeçarit fajëson Kurtin, Sveçlën e Vitinë për vdekjen e djalit, u kërkon të mos i shkojnë në shtëpi


Naim Musliu, babai i 26-vjeçarit, që vdiq dje në rrethana tragjike gjatë kohës sa po qëndronte në karantinë në qendër të studentëve, ka deklaruar se djali i tij ka pasur probleme shëndetësore, e se fajtor për atë se çka ka ndodhur janë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe u.d. i ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai ka deklaruar se djali i tij është nisur për në Gjermani me datë 6 mars.

“Djali është nisë për Gjermani për magjistraturë më 6 mars me ndihmën e vëllait tem dhe të një gjermani. Pa ndihmën e tyre djali im s’kish mujt me shku, po me ndihmën e tyre i tubuam paratë dhe ai është nisur.

Pas sëmundjes së koronavirusit djalit ndërpreu kursin, pasi që i thanë ata edhe u barikadua në banesën e njerëzve vullnetmirë, pa pare, dy muaj ditë. Aty filloi një mërzitje bejagi e mirë se të afërm në atë qytet s’ka pasë, por menjëherë pas kësaj e kam njoftuar kryetarin e Komunës se djali më tha se po mërzitna e po du me u kthy. Lutfi Haziri ka bërë çka është e mundur dhe ambasadori Beqë Cufaj, pa ndihmën e tyre nuk ka mundur djali të kthehet”, ka thënë Musliu.

I njëjti shton se ka tentuar disa herë përmes policisë të kontaktojë me djalin kur është kthyer në Kosovë, duke tentuar që t’ua shpjegojë se ai ka probleme shëndetësore, mirëpo thotë se nuk e kanë lejuar.

“E kam përcjellë me telefon në çdo hap, se u frikësova po më mbet djali pa hyp në aeroplan. Në aeroport kam qenë duke e pritur unë me shumë prindë të tjerë. Tentova me një dokument, që ky ka pasë para se me shku në Gjermani, ka pas prej bubrekve, duke ju treguar se ka stres, këta në aeroport as s’e kanë marrë parasysh. Kam tentuar përmes policëve nja dy-tri herë edhe ka fundi kanë mbetë 147. Nëntë prej tyre shumica të ri, i kanë marrë i kanë çu, ma mirë me thanë në ferr, sepse ferr ky për djalin tem. Dashtë zoti të mos ketë raste të tjera për asnjë fëmijë të botës, mos të ndodhë qysh më ka ndodhë mu”, shton ai.

Baba i 26-vjeçarit, që dje ndërroi jetë tragjikisht, ka thënë se fajtor për atë se çka ka ndodhur janë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe u.d i ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Kryekëput, po dal te përfundimi, pe përsëris, fajtor i kësaj krejt është Albin Kurti, Sveçla edhe ministri i Shëndetësisë, qysh e ka emrin nuk e di, s’po m’intereson, bashkë me zagarët e tyre. Kam shku aty, s’kam mujt me pa djalin hiç. Në një rast kam mujt me bo ndeshje, jam fut në të kuqen, kur kam mbërri aty, ajo xhandarmëria ma kujtojke, se jam i rrahur bashkë me prindin para xhandarmësisë, ma kujtun rastin kur na kanë rreh deri në alivanosje. Tentova ta ndal autobusin derisa ta shoh, nuk më lanë me pa as ata, bashkëpunëtorët e tyre.

Si familje kisha dashtë analiza, djali kur ka shku atje, babë tha kam mbërri, në detaje e kam përcjellë, e kam telefonin, më tha, o bab 36.5 e kam pasë temperaturën, as që e kanë marrë parasysh, sipas njerëzve që janë kanë afër tij, i kanë thanë që është e vërtetë, dokumentin që djali ka pasë probleme me gurë në bubrekë”, thotë ai në një lidhje direkte për televizionin publik.

Musliu në fund ka deklaruar se nuk dëshiron që t’i shkojnë për ngushëllime personat që, sipas tij, janë përgjegjës për vdekjen e djalit të tij.

“Ishalla nuk i ndodhë kujt qysh më ka ndodhë mu. Albin Kurti, Sveçla dhe ministri i Shëndetësisë, s’i kthej te dera, a qef s’kam me m’ardhë”, tha ai.