66 raste të reja me Covid-19 në Maqedoninë e Veriut


Me 66 raste të reja me Covid-19, numri i të infektuarve në Maqedoninë e Veriut shkon në 974. Më së shumti raste ka në Kumanovë, 262. Vetëm sot janë regjistruar 27. Për nga numri i të infektuarve në krahasim me komunat tjera, Kumanova tani është e dyta në listë. Shtabi komunal për mbrojtje dhe shpëtim i Kumanovës në mbledhjen e sotme me Kryeministrin teknik, Oliver Spasovski, zv/kryeministrin Bujar Osmani dhe Komisionin për sëmundje infektive propozoi që Kumanova të futet në karantinë për 14 ditë.

Kjo nënkupton orë policore 24 orëshe dhe izolim total i qytetit. “Do të japim propozime shtesë gjatë ditës së sotme, se në çfarë mënyre mund të sigurohet lëvizja brenda qytetit dhe funksionimi i ekonomisë, jeta e përditshme, furnizimi i mallrave, nevojat minimale për amvisëritë dhe më pas Qeveria duhet të prononcohet. Si shtab komunal mendojmë se duhet të ketë masa më restriktive, mirëpo vendimin e ka në dorë Qeveria dhe duhet ta respektojmë”, tha Maksim Dimitrievski, Kryetar i Kumanovës. Ndryshe nga Dimitrievski, kryeministri teknik Oliver Spasovski tha se nuk është për masa më restriktive.

“Unë të ju them të drejtën nuk jam përkrahës i bllokadave të tilla sepse krahasimi Dibër-Kumanovë me 9 mijë dhe 120 mijë banorë nuk është njëjtë, megjithatë do ta diskutojmë këtë çështje sa i përket mbylljes 24 orëshe të Kumanovës. Nëse epidemiologët dhe personat kompetentë në këtë fushë vlerësojnë ashtu, do të miratohet edhe kjo masë, për ta mbrojtur shëndetin dhe jetën”, tha Spasovski.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani në rolin e koordinatorit nacional për siguri, deklaroi se Qeveria është duke e shqyrtuar kërkesën e autoriteteve lokale, që Kumanova të futet në karantinë të tërësishme.

“Komunikova qëndrimin e Qeverisë që jemi duke i shqyrtuar seriozisht kërkesat e komunës për masa më radikale sepse Kumanova po shihet se për kokë banori ka numër më të madh të të infektuarve, kemi edhe në personel shëndetësor që është i infektuar, ndoshta do të marrim shembull edhe nga Qyteti i Dibrës ku kemi disa ditë pa të infektuar si rezultat i masave radikale”, tha Osmani. Ka pothuajse një muaj që kryetari i Komunës së Kumanovës njëherit edhe komandant i shtabit komunal i krizës, Maksim Dimitrievski që kërkon Kumanova të izolohet dhe të vendoset në karantinë 14 ditore, ashtu sikur ishte Dibra. Se a do të vendoset Kumanova në karantinë, vendimin do të sjellë Qeveria në ditët në vijim.

Baby Boo