Ngushëllime nga rajoni dhe bota për tragjedinë në Tetovë


Kryetari i Kuvendit të Turqisë, Mustafa Shentop, nëpërmjet rrjeteve sociale reagoi në lidhje me zjarrin që kaploi qendrën për COVID në Tetovë, ku si pasojë fillimisht jetën kanë humbur 10 persona.
“Mësova me pikëllim të thellë se vëllezërit tanë vdiqën në zjarrin që shpërtheu pas shpërthimit në qendrën për COVID në spitalin në Tetovë, Maqedoni e Veriut. Lutem për mëshirë për të vdekurit, ndërsa të plagosurve shërim të shpejtë”, shkroi Shentop në llogarinë e tij në Twitter.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngushëlluar familjet, presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe kryetaren e Tetovës, Teuta Arifi për viktimat nga zjarri në Tetovë.
“E prekur thellësisht nga aksidenti tragjik në Spitalin Covid të Tetovës, ju përcjell ngushëllimet e mia familjeve që humbën më të dashurit, presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski si dhe kryetares së Tetovës, Teuta Arifi”, është cituar të ketë thënë Osmani sipas Presidencës.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka shprehur ngushëllime përmes telefonit kryetares Arifi si dhe ka treguar gatishmëri për ndihmë.
Ka reaguar edhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili u shpreh “i trishtuar” nga incidenti tragjik.
“Bashkëndjejmë thellë me të gjitha familjet të cilat i humbën më të dashurit e tyre në këtë tragjedi të papërshkrueshme. Kurse të lënduarve ju dëshirojmë të shërohen. Pranoni ngushëllimet e mia dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, theksoi Konjufca

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar një fotografi nga ngjarja tragjike me mbishkrim “Lutemi për Tetovën”.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në rrjetet sociale ka shkruar se me shqetësim dhe trishtim të thellë po përcjell tragjedinë e ndodhur në spitalin e Tetovës, duke shprehur ngushëllimet për jetët e humbura.

“Një ngjarje tepër e rëndë dhe tronditëse, veçanërisht për numrin e viktimave të raportuara. Shpreh ngushëllimet më të ndjera për jetët e humbura dhe ndaj dhembjen e madhe me familjarët e tyre”, ka shkruar Meta.
Meta thekson se shpreh solidaritetin e plotë me autoritetet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, që sipas tij po bëjnë përpjekje maksimale për të shpëtuar sa më shumë jetë dhe vënë nën kontroll situatën.

Baby Boo