Mjekja Rukije Mehmeti: S’jemi vend i pasur që çdo pacient me simptoma të testohet


Drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë në QKUK Rukije Mehmeti ka thënë se rastet që janë pranuar në klinikë, si të dyshuar apo pozitiv me COVID-19, kanë qenë shumë të rënda.
Ajo në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se kritikat pse pacientët e dyshuar me COVID-19 ndodh që shtrihen bashkë me pacientët tashmë të konfirmuar si pozitiv është për shkak se kjo shpesh herë është mundësia e vetme për të shpëtuar jetë.

“Meqë kemi një numër shumë të madh të rasteve dhe Klinika e Mushkërive nuk i plotëson kushtet për trajtimin e sëmundjeve siç është COVID-19 unë them se kjo është një luftë dhe në luftë nuk zgjedhet terreni. Mundësia jonë e vetme ka qenë që ta ndihmojmë pacientin në momentin kur ai ka nevojë”.

“Kam dëgjuar dhe lexuar që janë dy raste pozitive me një rast negativ ose raste në pritje. Ka disa momente kur nuk na lejon të zgjedhim që do të thotë se edhe përkundër të gjitha rregullave mundësia e vetme që është t’ia shpëtojmë jetën pacientit është ta shtrijmë në spital për t’ia dhënë terapinë dhe oksigjenin”.

“Rastet që na vijnë në spital nuk janë raste të lehta. Janë raste të rënda që kanë ndryshime radiologjike të dyanshme që janë shumë të dyshimta për COVID-19, edhe pse ndonjëherë mund të na vijnë për COVID-19 negativ, mirëpo nuk do të thotë se nuk janë COVID-19 pozitiv, sepse ky test as në vendet më të zhvilluara të botës nuk është 100 për qind i saktë. Pacienti që ka ndryshime radiologjike edhe nëse ka rezultuar negativ për neve është COVID-19 pozitiv. Ne u mësuam me këto ndryshime, sepse ndoshta në fillim kur i kemi parë kanë qenë të dyshimta, por tash 100 për qind jemi të sigurt kur e shohim një ndryshim radiologjik”.

Mehmeti ka deklaruar se ka pasë raste kur në 100 pacientë të shtrirë në klinikën që ajo e drejton vetëm katër ose pesë prej tyre kanë qenë pa oksigjen.
]
“Kanë qenë raste shumë të rënda dhe ka qenë ngarkesë shumë e madhe si për mjekët ashtu edhe infermierët të cilët janë të detyruar që në çdo të tretën ditë të kujdestarojnë”.
Drejtoresha e Pulmologjisë ka thënë se është e pamundur që në Kosovë të testohen të gjithë ata që kanë simptoma ose dyshime për infektim nga COVID-19.

Baby Boo