1298 mësimdhënës më tepër se sa nevojiten nëpër shkolla


109 nxënës nga klasa e parë e deri në të nëntën dhe 883 të tjerë të shkollave të mesme kanë braktisur shkollimin gjatë vitit të kaluar. Kjo ka bërë që 1600 mësimdhënës të jenë më tepër sesa nevojiten në sistemin e arsimit.

Ministria e Arsimit do t’i rekomandojë komunave që të kenë kujdes me zëvendësimin e mësimdhënësve që dalin në pension, duke risistemuar ata që aktualisht janë të punësuar.

Janë rreth 400-500 mësimdhënës të cilët gjatë vitit pensionohen, për të cilët edhe njohësit e fushës së arsimit, thonë se zgjidhja më e duhur do të ishte risistemimi i atyre që janë të inkuadruar në sistemin arsimor.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, ka thënë për KosovaPress, se edhe vitin e kaluar ka pasur tepricë të mësimdhënësve, por siç thotë ai, për ta ruajtur këtë numër të mësimdhënësve duhet punuar me klasa të vogla.

“Është konstatuar se për këtë vit teprica është 1298 mësimdhënës dhe kjo është një situatë të cilën e kemi gjetur nëpër shkolla. Ndërkaq është e vërtetë se kjo tepricë vitin tjetër rritet për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve… Zakonisht në shkolla për ta ruajtur këtë numër të mësimdhënësve punohet me klasa më të vogla, shembull nëse formohet një klasë me 30 nxënës, formohen dy klasë me nga 15 nxënës, dhe kjo pastaj bënë të mundur që ky numër i mësimdhënësve të mbetet në sistem”, theksoi Pupovci.

Baby Boo