1 vjet nga aksidenti i autobusit në Llaskarcë, marsh përkujtimor për viktimat (VIDEO)


Me rastin e njëvjetorit të tragjedisë së Llaskarcës ku në një aksident trafiku humbën jetën 16 persona dhe dhjetëra të tjerë u lënduan, sot mbahet marsh përkujtimor.

Pikënisja e marshit do të jetë vendi ku ndodhi tragjedia në afërsi të fshatit Llaskarcë, ndërsa do të përfundojë në sheshin e qytetit të Gostivarit, me gjatësi prej rreth 55 kilometra.

Iniciativa vjen nga një grup alpinistësh, ndërsa do të mbështetet në tërësi nga Komuna e Gostivarit.

“Krahas përkujtimit të viktimave në këtë tragjedi, me këtë marsh synojmë të dërgojmë mesazh deri te institucionet kompetente shtetërore që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për siguri më të madhe në trafikun rrugor, si dhe sensibilizimin e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që tragjeditë këtilla mos na përsëriten më”, thonë organizatorët e marshit.

Komuna e Gostivarit i inkurajon qytetarët për pjesëmarrje më masive në këtë marsh, ndërsa pjesë e marshit do të bëhet edhe kryetari Arben Taravari me bashkëpunëtorët e tij, të cilët do të përshkojnë disa kilometra të rutës.

Autobusi i kompanisë “Durmo Turs” nga Gostivari më 13.02.2019 rreth orës 17 i vozitur nga Manoil Ttrifunovski (49) ka humbur kontrollin dhe ka kaluar mburojën e hekurt në anën e kundërt të autostradës Tetovë – Shkup, më pas ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur në hendek në afërsi të fshatit Llaskarcë. Numri i viktimave ka arritur në 16, ndërsa 39 persona të tjerë u shtruan nëpër spitale pas lëndimeve që kanë marrë nga aksidenti.

Rastin e udhëheq gjykatësja Dijana Gruevska- Ilievska, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është prokurori publik Darko Jakimovski.

Të akuzuar janë 6 persona, dhe atë, pronari i kompanisë transportuese “Durmo Turs”, Durmish Beluli, përgjegjësi i kompanisë, Remzi Miftari dhe vozitësi i autobusit, Manoil Trifunovski. Këta ngarkohen për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, ndërkaq tre të punësuarit e stacionit të kontrollit teknike, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski akuzohen për pjesëmarrje në kryerjen e veprës penale./Portalb

Baby Boo