1 vit nga zhdukja misterioze e “mbretit të kumarit” Ervis Martinajt


Këtë të mërkurë është mbushur plot 1 vit nga zhdukja në Shijak e Ervis Martinaj, njeriut që jetonte mes biznesit të lojrave të fatit dhe botës të krimit të organizuar.

Pikërisht në 9 gusht 2022, 41-vjeçari humbi kontaktet me rrethin e tij shoqëror dhe familjar, çka solli që një ditë më pas në 10 Gusht xhaxhai i tij Rakip Martinaj të kallëzonte në policinë e Laçit, rastin e humbjes së kontaktit me nipin.

Shijaku ishte pika e fundit e ndalesës së tij, duke hyrë në banesën e një të njohuri A.A. Shijaku mban të fshehur misterin nëse Ervis Martinaj është gjallë apo e kanë vrarë.

Për një periudhë 1-vjeçare emri i Ervis Martinajt, ka ngjallur kureshtje, duke e ndarë opinionin publik, median dhe policinë, mes misterit nëse është i gjallë apo është i vdekur.

Prokuroria e Laçit dhe më pas ajo e Lezhës, prej 1 viti po kryen hetime për akuzën e “Rrëmbimit dhe zhdukjes së personit”.

Por deri në këtë fazë nuk është bërë e mundur të gjendet asnjë provë apo sinjalizim, rreth fatit të njeriut që jetonte mes botës së lojrave te fatit dhe Krimit të Organizuar.

Njerëzit e fundit që shoqëronin Ervis Martinaj nga Tirana në Durrës dhe anasjelltas, ishin e dashura e tij Sadete Kokomani dhe punonjësi i policisë, Jeton Lami.

Ky i fundit u arrestua për “Shpërdorim detyre” dhe më pas u dënua nga gjykata e Lezhës me dy vjet e 10 ditë burgim.

E megjithëse Prokuroria e Lezhës, për rastin Martinaj po kryen hetime në pistën e rrëmbimit dhe zhdukjes së personit, nga ana tjetër SPAK, brenda 1 viti ka iniciuar 4 procedime penale kundër tij, duke i vendosur 2 masa sigurimi “Arrest në burg”.

Baby Boo