Zyrtari i VV-së: Kemi informacione që LDK po negocion me një parti tjetër


Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla ka deklaruar se ka informata që Lidhja Demokratike e Kosovës është duke negociuar lidhur me mundësinë e arritjes së një koalicioni parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Sveçla ka thënë se po konfirmohet ajo që ka thënë Vetëvendosje.

“Edhe kësaj here po konfirmohet ajo çfarë Lëvizja në vazhdimësi ka thënë. Pa politikë të qartë në interes e dobi të qytetarit e shoqërisë, rruga përpara mjegullohet e rrjedhimisht lehtë mund ta humbasësh. Siç edhe po na thojnë anëtarë të të dyja subjekteve, LDK-së dhe AAK-së, lidershipi i tyre tash po negocion që të ecin së bashku. Në fakt, do të ngecin së bashku”, ka thënë Sveçla.

Ai ka kujtuar zotimin e LDK-së së nuk do të takohen me subjektet tjera për negociuar koalicionin parazgjedhor.

“Mos të harrojmë që zyrtarët më të lartë të LDK-së u zotuan së bashku me përfaqësuesit e Lëvizjes se as nuk do të takohen me subjekte tjera për të negociuar koalicion parazgjedhor. Dihet kush shkeli fjalën”, ka shtuar ai.

Megjithatë, Sveçla ka thënë se pavarësisht të gjitha lojërave, qeveria e udhëhequr nga Kurti po vjen, pasi populli po deklarohet.

“Mirëpo pavarësisht të gjitha lojërave të kujdo, #qeveriaKurti po vjen, sepse populli po deklarohet, gjithandej Kosovës dhe në mërgatë”, theksoi ai.

Baby Boo